
Përditësuar
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin dhe mbajtjen në burg pa afat të deputetit socialist Alqi Bllako.
Pas vendimit të gjykatës, Policia e Shtetit ka marrë njoftim për të ekzekutuar urdhër-arrestin për Alqi Bllakon.
Nuk ka njoftime për prangosjen e Bllakos deri pasdite vonë.
Ishte SPAK që ngriti akuza ndaj Bllakos për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me aferën e inceneratorëve.
Nga hetimet, SPAK akuzon Bllakon se ka përfituar 15 milionë lekë, pasi kur ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit ka falsifikuar disa dokumente për një tokë, ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.
Sipas Prokurorisë, shkelja është bërë në bashkëpunim me Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili tashmë ndodhet në burg për të njëjtën çështje.
SPAK ekzekutoi 9 urdhër-arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit, ndërsa janë lëshuar edhe 5 urdhër-arreste të reja për inceneratorin e Elbasanit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





