Transmetuar më 29-03-2022, 09:50

Administratore e Inceneratorit të Tiranës, ‘Integrated Energy BV SPV’, Arjola Kodra, është një nga personat e vënë në pranga si e akuzuar për përfshirjen në korrupsion. Kodra ka qenë një nga personat që është thirrur për tu marrë në pyetje nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët, i drejtuar nga Jorida Tabaku. Herën e vetme që shkoi në Kuvend, Kodra, e pyetur për kreditë e marra nga kompania në fjalë për të siguruar fondin për impiantin e inceneratorin e Tiranës. Tabaku tha se kompania ka pasur një garanci bankare prej 100 mijë lekësh dhe kompania ka marrë një kredi bankare, duke shtuar se në raportin e KLSH-së është konstatuar se Kompania ka deklaruar se nuk do të ketë nevojë për kredi dhe investimin do ta kryejë me të gjithë kapitalin e saj.

Në lidhje me nënshkrimin e kontratës administratorja e “Integrated Energy BV SPV”, tha se kontrata ka qenë për një afat 30-vjeçar dhe është lidhur me Ministrinë e Financave. Ariola Kodra është pyetur në lidhje me njohjet me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Mirel Mërtirin për të cilët tha se nuk ka pasur takime nga afër pasi ka një staf që merret me këto gjëra. E pyetur nga Tabaku nëse ka pasur njohje me kryeministrin Edi Rama apo ministrin Damian Gjiknuri, Kodra tha se i njeh vetëm si politikanë dhe figura publike e se nuk ka pasur asnjë kontakt nga afër me ta.

Përsa i përket periudhës së punësimit dhe pagës që ka marrë nga Inceneratori i Tiranës babai i deputetit Alqi Bllako. Edmond Bllako, Tabaku nuk ka arritur që të marrë dot përgjigje. Kodra fillimisht tha se Edmond Bllako është punësuar e larguar para se ajo të bëhej administratore. Por kur Tabaku nxorri të dhënat me pagat, administratorja ndërro version dhe tha se babai i deputetit është punësuar para se të vinte ajo, por është larguar gjatë kohës që vetë Kodra ka qenë administratore e kompanisë. Ajo u thirr të dëshmojë edhe në një tjetër seancë, por refuzoi, gjë që bëri që Tabaku të kërcënonte se do ta dërgonte me polici në Kuvend.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd