Transmetuar më 23-03-2022, 22:01

Zbulohet misteri i dronit që ra mbi banesën në Mitrovicë të Kosovës.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tij u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij.

Ai po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i me anë të një deklarate thekson se dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti. KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka folur për dronin që ka rënë sot në lagjen Bair të Mitrovicës. Kajtazi ka thënë se ky dron nuk është i ngjashëm me atë që ditë më parë ra në Kroaci duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.

“Droni nuk është i ngjashëm me atë të rënë në Kroaci, ky është dron taktik, fluturon deri në 40 km (në hapësirë pamore) nga pika ku është operatori, në lartësi deri me 4500 m. Ka motor elektrik me helike. Në rajon e posedon vetëm Kroacia. Është tip Skylar 1 LM, prodhim USA”, ka sqaruar Kajtazi.