
Sot është dita e tretë e përgatitjeve të kuqezinjve në funksion të miqësores së luksit me Spanjën. Stërvitjet kanë vijuar në Barcelonë, aty ku edhe do të luhet kjo ndeshje më 26 mars. Sipas programit, në konferencë për shtyp kanë dalë sot dy kuqezinj, nga më të rinjtë: Kristjan Asllani dhe Giacomo Vrioni.
I pari pret të debutojë me fanellën kuqezi, ndërsa i dyti rikthehet në kombëtaren A. Asllani, në radarët e klubeve kryesore italiane, pjesë e Empolit, tha në fjalën e tij: “Jam shumë i lumtur, unë kombëtaren e shihja vetëm në televizion. Kjo është një kënaqësi e madhe për mua. Nuk e mendoja ftesën, nuk e besoja, por erdhi. Shpresoj të bëjmë mirë.
Ndeshja me Spanjën? Kundërshtari ka emër të madh, por nuk na tremb. Këto tri ditë kanë qenë shumë të bukura. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Unë do të jap maksimumin, shpresoj t’i vij në ndihmë kombëtares. Jemi shumë lojtarë që luajnë në Itali, që bëhemi bashkë në kombëtare.
Kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vijmë këtu ndihemi më së miri. Me kë ngjasoj në kombëtare? Nuk e di, këtë mund ta thoni ju që e shikoni sportin nga jashtë. Debitimi ndaj Spanjës? Nuk e di, janë gjëra të trajnerit. Unë jam i përqendruar te stërvitja dhe ndeshja, shpresoj të na mbështesin shumë tifozë.
Milani, Interi, Juve…, thonë se më kërkojnë? Unë nuk e di, nuk i kam shumë qejf zërat e merkatos. Vetëm mendoj për Empolin dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar skuadrën time. Jam ende i ri, dua të qëndroj me këmbë në tokë dhe të stërvitem shumë”.
https://www.youtube.com/watch?v=dWmRo1fpyEc
Giacomo Vrioni tha se ka prenotuar fanellën e Moratta, sulmuesit të Spanjës: “Jam i lumtur sa herë më thërret kombëtarja, është gjë shumë e bukur, sepse përfaqëson popullin tënd. Do të jap maksimumin, siç kam bërë gjithmonë. Sipas meje, Shqipëria ka pasur ecuri pozitive, skuadra ka nivel të lartë, ka lojtarë shumë të mirë.
Është shumë bukur të jem këtu, në kombëtare, me këta lojtarë. Është normale që të ketë konkurrencë në klub dhe kombëtare. Është mirë për skuadrën që të gjithë sulmuesit shënojnë. Ne duhet të stërvitemi, të japim maksimumin, kurse zgjedhjet i bën trajneri.
Liga e Kombeve? Është objektivi i të gjithë lojtarëve, përpara do të jap maksimumin në klubin tim, që të marr sërish ftesë nga kombëtarja. E kam ëndërr të gjej golin e parë në kombëtare. Shpresoj të shënoj dhe të bëj të lumtur gjithë familjen time.
E ardhmja ime? Nuk e di, sepse janë edhe dy muaj para se të mbyllet sezoni. Të shohim, shpresoj ta mbyll sezonin me sa më shumë gola, ta ndihmoj skuadrën ku luaj. Juventusi? Mbaj kontakte sidomos me Moratën, i kam thënë ta ruajë fanellën për mua.
Është djalë shumë i mirë, më ka ndihmuar shumë te Juventusi. Për mua është nga më të mirët në botë. Ndeshja me Spanjën do të na shërbejë shumë, është normale, sepse mund të shohim se në çfarë niveli jemi. Do të kërkojmë rezultat dhe t’i kënaqim tifozët në stadium”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





