
Një ditë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, situata në selinë blu ka qenë e qetë. Aty kanë mbërritur sekretari i përgjithshëm në detyrë, Gazmend Bardhi, dhe kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj.
I pari ka folur shkurt për gazetarët e shumtë në oborrin e selisë së demokratëve: “Partia bashkohet ku secili prej nesh, edhe anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar kapërcejnë veten dhe mendojnë interesin e PD dhe interesin i demokratëve”.
Nga ana tjetër, Alibeaj ka nënvizuar: “Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për bashkim. Demokratët votuan të bashkuar, bashkimi është çelësi i vlerave, respekti ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë në një llogore kundër së keqes së madhe që është instaluar në Shqipëri.
Sot më shumë se kurrë kjo është thirrja që buron nga zemra e çdo demokrati. Kësaj duhet t’i shërbejmë. A jam penduar për deputetët që pezulluam? Bashkimi është ndër demokratët. Do të kemi kohë për të folur… Sot është ditë feste, do të kemi kohë që të flasim. Do të diskutojmë sërish në vijim”.
Alibeaj iu shmang pyetjeve nëse ka pasur debat për pikën 2 të rezolutës së grupit, ku kërkohet edhe tërheqja e Sali Berishës: “Deklarata e djeshme ishte e diskutuar. Do të diskutohet përsëri”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





