Transmetuar më 21-03-2022, 23:39

Pas dorëheqjes së Bashës dhe komandimit të Enkeled Alibeaj, vijnë edhe reagimet nga demokratët.

Deputeti Edi Paloka ka komentuar dorëheqjen e Lulzim Bashës të cilin e etiketoi si vazhdim i një skenari me truke dhe hile.

Gjatë intervistës në Syri Tv, Paloka theksoi se edhe deputetët që kanë qenë brenda selisë së PD nuk kanë qenë dakord me deklaratën e Alibeajt, i cili foli në emër të grupit parlamentar të PD.

“E gjitha një gjë qesharake, vazhdë e asaj që po bënte Basha deri tani. S’është më fytyra e Bashës por dolën me të Alibeajt për të mbajtur të njëjtin qëndrim. Vetëm për bashkim nuk mund të bëhet fjalë kur mban qëndrime të tilla”-tha Paloka.

Paloka tha se Lulzim Basha ka pasur mision përçarjen e PD ndërsa u shpreh se ka një vazhdim të qëndrimeve të Bashës.

“Alibeaj është i shkarkuar njësoj si Basha, s’ka asnjë tagër. E bën qesharake, uroj mos të jetë vazhdë e misionit përçarës.”-tha Paloka.

Më tej ai theksoi se Basha thotë që ‘për shkak të vendimit që mora, u përça Partia Demokratike’, la të nënkuptohej që edhe dorëheqja e tij lidhet me këtë fakt.

“Kur Basha vetë e deklaron që largimi i Berishës përçau PD-në, si ti tjetri që vjen pas Bashës që i ke kërkuar dorëheqjen Bashës, thua duhet të largohet Berisha. Kjo historia nisi më 9 shtator, shkaku dhe pasoja. Po thua shkaku të iki, pasoja të mbetet. Uroj të jetë një tentativë për të dalë nga situata ku janë. I presim të gjithë deputetët të pranojnë realitetin. E konfirmoi 6 marsi”-tha Paloka.

Patozi: Alibeaj në krye të PD më i rrezikshëm se Basha

Kryetari i partisë, Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të marrë nga Lulzim Basha për dorëheqje nga posti i kryetarit të PD, vendim të cilin e konsideroi si tepër të vonuar.

Nga ana tjetër shtoi se me lëvizjen e bërë, tashmë rradhën e veprimit e kishte “foltorja”, duke shtuar se aktualisht Berisha ishte në dilemë të madhe pas zërave të cilët i kërkonin që të mos kandidonte në krye të PD.

Ai tha se nëse Berisha vendoste të kandidonte do të ishte kryetar automoatikisht i PD-së, por do të qëndronte në atë pozicion vetëm si kryetar i opozitës sepse për partinë Demokratike ky rikthim nuk do ishte i mirë. Sa i përket Alibeajt, Patozi u shpreh se mund të ishte shumë më i rrezikëshëm se Basha si kundërshtar.

Astrit Patozi, kryetari i partië Bindja Demokratike: Në vendimin e marrë, Basha Është tepër i vonuar dhe unë kam konsideruar që dorëheqja e tij duhet të kishte ardhur në 2017. Ata njerëz të cilët janë të gëzuar dhe triumfues e donin Bashën sërish kryetar. Pra dorëheqjen e Bashës e shoh si diçka të ‘mezipritur”. Por nuk mendoj se e çliron situatën aktuale. Tërheqja e tij ishte taktike. Sidomos platforma kushtëzon ikjen e Bashës me ikjen e Berishës.

Tani të drejtën e fjalës e ka “foltorja”, pra Berisha.

Berisha është në dilemë shumë të madhe sepse po mendon se çfarë duhet të bëjë. Pra duhet të injorojë zërat që kërkojnë moskandidimin e tij. Basha dha dorëheqjen sepse nuk i kishte mbetur më asnjë metër kub oksigjeni. Basha aktualisht është jashtë loje, i ka humbur shanset për të qenë kryetar i PD, por mund të vazhdojë karrierën politike. Berisha tani duhet të ndajë mendjen, do të rikandidojë apo jo. Kandidimi i tij do e bënte automatikisht kryetar të PD. Por kjo nuk i bën mirë PD-së. Në rast se i mjafton drejtimi i PD-së le të kandidojë, por puna është ai duhet kjo fitore? Sepse PD-së i duhet fitorja për të mundur Ramën, jo për të mundur Bashën. Sepse po ta marrim kështu, Alibeaj mund të jetë një “armik” shumë më i rrezikshëm se Basha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd