
Gjendet i vetvarur në rrethana misterioze Saimir Kuçi një nga anëtarët e grupit të grabitjeve “Hijet e Natës”.
Kuçi është gjetur mbrëmë i pajetë në banesën e tij nga familjarët.
Kuçi u arrestua në muajin Nëntor 2021, nga prokuroria e Krujës si person i dyshuar në grabitjen dhe torturimin brenda në banesë të Nazmi Çangut, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Prej datës 10 dhjetorit të vitit të kaluar, 37-vjeçari qëndronte në banesë, pasi gjykata e Apelit në Tiranë, urdhëroi lirimin e tij nga burgu, duke caktuar masën ‘arrest shtëpie’.
Policia citon se ‘në rrugën “Petro Marko” në Yzberisht, është gjetur nga familjarët e tij i pajetë në banesë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi S. K., 37 vjeç’.
Saimir Kuci ishte anëtar i grupit ‘Hijet e Natës’, të cilët vodhën ambasadën daneze. Bashkë me Elton Likën, Kuçi konsiderohej si drejtuesit e një grupi kriminal që kryente grabitjen e bizneseve, madje kishte hyrë edhe në banesën e një biznesmeni në zonën e Kamzës por edhe objekte të rëndësisë së lartë. Edhe pse ishin 8 persona anëtarë, dy drejtuesit e grupit, Elton Lika dhe Saimir Kuçi qëndronin më të tërhequr. Ata ishin ideatorët e çdo plani për të grabitur biznese si supermarkete, shoqëri imobilare dhe zyra të shoqërive të ndërtimit dhe ishin shumë të organizuar. Por kurrë nuk takoheshin me të tjerët në publik. Gjithmonë takoheshin dy e nga dy për të mos rënë në sy.
Skema e grabitjeve ishte thuasje e njëjtë me atë të Çangut. “Maskat” lëviznin në orët e vona të natës të armatosur, përdornin automjete të vjedhura dhe të marra me qira duke u ndihmuar dhe nga persona të tjerë. Të veshur si efektivë policie ata merrnin paratë e viktimave të tyre nën kërcënimin e armëve. Por duket se kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm pasi gjatë gjithë karrierës së tyre nuk kanë lënë pas asnjë viktimë.
Një grup hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





