
David Beckham i ka dorëzuar kontrollin e llogarisë së tij në Instagram një mjekje ukrainase që punon në qytetin e Kharkiv. Gjatë gjithë të dielës, historitë në Instagram-in e ish-futbollistit u përmbytën me video dhe fotografi nga Iryna, një anesteziologe fëmijësh dhe drejtuese e qendrës rajonale perinatale.
Ajo transmetoi aty një dite pune të saj dhe kolegëve në mes të konfliktit ushtarak dhe bombardimeve ruse. Iryna iu tregoi 71.5 milionë ndjekësve të Beckham në Instagram bodrumin e ngushtë ku u evakuuan të gjitha gratë shtatzëna dhe nënat e reja gjatë ditës së parë të pushtimit rus.

Ajo postoi fotografi të të porsalindurve në njësinë e kujdesit intensiv, të lidhur me gjeneratorët e oksigjenit të dhuruar nga UNICEF. Në një video, mjekja ukrainase filmoi një nënë të re, Yana, duke mbajtur djalin e saj, Mykhailo, i cili lindi me probleme të frymëmarrjes dhe shtëpia e familjes së të cilit u shkatërrua plotësisht.
Iryna tha se ajo tani punon 24/7, çdo ditë të javës: "Ne ndoshta po rrezikojmë jetën tonë, por nuk mendojmë fare për këtë. Ne e duam punën tonë… Mjekët dhe infermierët këtu janë tejet të shqetësuar, qajmë së bashku, por askush nga ne nuk do të dorëzohet”.

Beckham, një ambasador i UNICEF-it që nga viti 2005, iu kërkoi ndjekësve të tij të dhurojnë për fondacionin e tij të bamirësisë, i cili po punon në Ukrainë për t’u siguruar familjeve akses në ujë të pastër dhe ushqim, duke ofruar pajisje të gatshme për përdorim në maternitete dhe siguruar që shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve të vazhdojnë: “Falë donacioneve tuaja, gjeneratorët e oksigjenit që kanë marrë po i ndihmojnë të porsalindurit të mbijetojnë në kushte të tmerrshme”.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ka qenë objektivi i vazhdueshëm i granatimeve ruse për tri javë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





