
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku tha sot se në akset rrugore të vendit, do të ndërpritet ndriçimi aty ku ka, për të kursyer energjinë.
Po ashtu ajo tha se do të kërkohet nga bashkitë që pas orës 00:00 të ndërpresin energjinë në hapësirat qytetëse.
Balluku tha se duhet të kursejmë energji, pasi çmimet e importit janë të larta dhe nuk duhet të futemi në situatën që të na ndërpritet shërbimi i energjisë gjatë periudhave të ndryshme të ditës.
“Duke pasur parasysh konsumin e lartë dhe pasur parasysh se prodhimi vendas është ulur, duhet të dalim në import. Nesër përllogaritet kërkesë më e lartë se sa sot.
Për këtë arsye qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash, duke nisur nga institucionet publike. I kemi kërkuar ARRSH për të nisur nga puna me OSHEE, për të ndërprerë ndriçimin në akset kombëtare.
Nuk do të prekim disa akse rrugore që cënojnë sigurinë, siç janë disa rrethrrotullime. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj.
Një masë e marrë është kërkesa që kemi bërë për të kufizuar energjinë që shpenzohet për ndriçimin, për ato që nuk janë të nevojshme. Bashkive do tu kërkohet që, duke nisur nga ora 12 e natës të ndërpresin ndriçimin, për ato zona që nuk janë të domosdoshme.
Vendimi që Balluku thotë se po merr qeveria, është i paqartë dhe bart rreziqe evidente. Përcaktimi se cilat janë zona me rrezik dhe cilat jo, është absurd në kushtet kur ndriçim kanë shumë pak pjesë të ndonjë rruge kombëtare dhe kryesisht rrethrrotullimet.
Gjithashtu ndërprerja në mesnatë deri në mëngjes e energjisë në rrugët qytetëse, siç po urdhërohen bashkitë, bart rreziqe të shtuara për njerëzit që duhet të lëvizin natën për arsye pune ose personale, duke nxitur keqbërësit dhe olaçkitësit, çka do të rriste kriminalitetin, thonë ekspertë policorë të kontaktuar nga noa.al. Ata theksojnë se nuk ka koordinim mes instancave shtetërore në vendime të tilla që shpallen nga ministrat.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





