Transmetuar më 18-03-2022, 15:19

Deputetët e LSI depozitojnë ndryshimin në Kodin Penal për tubimet. Ky ndryshim është në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka “amnistuar” qytetarët që protestojnë. Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, shkruan me këtë rast:

“Kushtetuesja ka folur, tani urgjent ndryshimi i Kodit Penal për tubimet, që dënon padrejtësisht qytetarët! Qindra qytetarë, që kanë protestuar, po vuajnë padrejtësisht pasojat në qindra e qindra procese gjyqësore politike të montuara dhe në shërbim vetëm të Rilindjes e abuzimeve të saj me të drejtat e qytetarëve dhe liritë e tyre.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në Kodin Penal ndalimin për zhvillimin e protestave pa lejen e policisë. Për këtë vendim, Rilindja as flet dhe as shprehet me muaj të tërë, sepse i intereson t’i mbajë qytetarët nën kërcënim, t’i mbajë me procese të hapura me qëllimin e vetëm për të dekurajuar protestat e qytetarëve kur atyre iu dhunohen të drejtat e iu rrëmbehet prona dhe liria nga Rilindja.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetutese është i detyrueshëm reflektimi në Kodin Penal në nenin 262, paragrafi i parë dhe shfuqizimi i shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”.

Pas muajsh të tërë ku Kuvendi nuk ka reaguar, duke u vendosur në kushtet e pakushtetushmërisë, tani nuk ka më asnjë minutë kohë për të humbur: të votohen këto ndryshime të Kodit Penal, që i japin fund dënimit të paligjshëm të qytetarëve që protestojnë për të drejtat e tyre themelore”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd