Transmetuar më 18-03-2022, 12:02

Protestat e qytetarëve për rritjen e çmimeve do të vijojnë nesër me “edicionin” e radhës. Në fakt, ka gjasa që protesta e së shtunës të mos jetë si të tjerat, por të vijojë pa afat para kryeministrisë.

Grupi iniciator doli sot para mediave dhe i rikujtoi kryeministrit Edi Rama kërkesat e tyre, por edhe afatin e vendosur për plotësimin e tyre. Duke nënvizuar se masat e marra deri tani nuk mjaftojnë për zgjidhjen e krizës:

“Këto masa nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Ndihma për përballimin e rritjes së çmimeve për kategoritë në nevojë është shumë minimale. Ndërkohë, qeveria vazhdon të refuzojë uljen e përkohshme të taksave.

Nëse qeveria është kokëfortë dhe nuk pranon të negociojë, këtë të shtunë qytetarët do të jenë të gjithë në protestë sërish. Kjo është protestë e qytetarëve, e organizuar nga ana e tyre. Është për problemet e qytetarëve. Protesta nuk do të ndalet.  

Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe do të jetë një marshim drejt kryeministrisë. Një nga skenarët është përshkallëzimi, do të ulemi para Kryeministrisë dhe nuk do të ngrihemi. Protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje”.

Ja kërkesat e protestuesve për qeverinë:

1. Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullimi barrës fiskale me çmimin e karburanteve

2. Pezullimi i TVSH për produktet bazë të shportës

3. Zgjerim i skemës së kompensimit e mbështetjes për fermerët

4. Paketë reale ndihme për pensionistet invalidët për tejkalimin e krizës

5. Hetim e mbikëqyrje të koncesioneve e operatorëve ekonomikë që ndikojnë arbitrarisht në çmimet në treg veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd