
Presidenti i Shqipëisë, Ilir Meta, ka dekoruar sot me “Nënë Tereza” mjekun e njohur, Gerond Husi, i cili humbi jetën vitin e kaluar, pas infektimit me Covid-19.
Mjeku endokrinolog u infektua me virusin e rrezikshëm gjatë punës në spital, duke iu ardhur në ndihmë pacientëve, dhe nuk mundi t’ia dilte dot, ashtu si jo pak kolegë të tjerë të tij.
Pavarësisht se shkoi në Turqi për mjekim më të specializuar, Husi iku nga kjo jetë, duke lënë dhimbje të madhe te familja, kolegët dhe pacientët.
Duke e vlerësuar si një hero në krye të luftës me pandeminë, kreu i shtetit shqiptar e ka dekoruar atë. Ja çfarë tha Ilir Meta duke ua dhënë dekoratën të afërmve të tij:
“Me mirënjohje ndaj përkushtimit për profesionin fisnik të mjekut, duke u dalluar si një endokrinolog i shkëlqyer dhe i palodhur në shërbim të pacientëve, pedagog dhe shkencëtar i pasionuar i Universitetit të Mjekësisë, si dhe në vlerësim të humanizmit vetëmohues të dëshmuar në situatën tejet të vështirë të pandemisë Covid-19, duke sakrifikuar jetën e tij në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, çmova sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, mjekun e paharruar Gerond Husi.
Emri i tij do të vazhdojë të jetë simboli i mjekut humanist të palodhur dhe të devotshëm, frymëzim për gjeneratat e mjekëve më të rinj që të ndjekin shembullin e Tij”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





