Transmetuar më 17-03-2022, 13:14

Greqia merr masa për mbrojtjen e qytetarëve të saj, në kulmin e rrityjes së çmimeve prej luftës në Ukrainë. Sikurse kishte paralajmëruar, kryeministri helen, Kyriakos Mitsotakis, miratoi paketën e rezistencës sociale prej 1.1 miliardë eurosh.

Nga ajo do të përfitojnë rreth 3.2 milionë qytetarë grekë. Bashkë me masat e tjera, shuma në ndihmë të shtresave në nevojë, të prekura nga kriza e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, arrin deri në 2 miliardë euro për vitin 2022.

Kreu i qeverisë greke, Mitsotakis sqaroi se masat janë për të mbuluar nevojat urgjente të qytetarëve me ardhura familjare vjetore deri në 30.000 euro. Paketa përfshin masa me afat 3 mujor: prill, maj dhe qershor.

“Nuk do lejoj që për t’u dukur i mirë përkohësisht, të rrezikoj ecurinë e zhvillimit të ekonomisë së vendit”- tha Mitsotakis. Përveç 2 asistencave, masat parashikojnë ulje të taksave, pezullim të taksës së pasurisë së palëvizshme, subvencione për bujqësinë, sektor të goditur fort javët e fundit.

Individë dhe familje me të ardhura deri në 30.000 euro në vit do të përfitojnë ulje të karburantit, ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse për ngrohje.

Asistencën prej 200-300 euro pritet ta marrin 1.4 milionë familje, duke nisur nga muaji prill. Po kështu, do të zubvencionohen 180 litra benzinë për 3 muajt e ardhshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd