
Mjaft analistë dhe ekspertë janë shprehur se Rusia nuk e kishte imagjinuar rezistencën e fortë në Ukrainë. Shefi i Gardës Kombëtare të Rusisë, Viktor Zolotov, ka pranuar së fundmi se ofensiva ushtarake e Moskës në Ukrainë nuk po shkon siç duhet.
Ky ishte pranimi më i fortë deri më tani nga një zyrtar i Kremlinit, teksa deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës ka qenë më i ngadalshëm se sa pritej, raporton Reuters.
“Do të doja të them se po, jo gjithçka po shkon aq shpejt sa ne do të donim”, tha Viktor Zolotov, i cili është një aleat i ngushtë – dhe ish-truproja i Presidentit Vladimir Putin.
Ndër të tjera bëhet me dije se ai fajësoi përparimin e dobët të Rusisë tek elementët e ekstremit të djathtë që fshihen në mesin e popullsisë ukrainase, duke luajtur me një akuzë të përdorur vazhdimisht nga Moska për të justifikuar pushtimin e saj se neo-nazistët janë infiltruar në Ukrainë.
Komentet, të cilat Reuters raporton se janë publikuar në faqen zyrtare të Gardës Kombëtare të Rusisë, nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga BBC.
Ndërkohë kujtojmë se kanë kaluar më shumë se 2 javë qëkur ka nisur lufta mes Ukrainës dhe Rusisë dhe deri më tani asnjë nga palët nuk është tërhequr.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





