
Fundjava që sapo lamë pas ka qenë një nga më pozitivet për pjesën më të madhe të lojtarëve të kombëtares shqiptare, që aktivizohen në kampionatet europiane. 5 gola, 2 asiste dhe super paraqitje nga kuqezinjtë, të cilët po tregojnë formën e tyre të mirë në prag edhe të ndeshjeve të Shqipërisë ndaj Spanjës e Gjeorgjisë.
Fillimisht ishte lojtari i Shpresave, Indrit Tuci, ai që hapi fundjavën me gol në Kroaci, ndërsa u fut në pjesën e dytë dhe shënoi golin e katërt për Lokomotivën e Zgrebit në fitoren 4-1 përballë Sibenikut. Futbollisti shqiptar u vlerësua me notën 7.4 nga faqja e specializuar për statistika “Sofa Score”.
Të shtunën ishte radha e sulmuesit të kombëtares, Rey Manaj për të realizuar golin e katërt në Serie A për Spezian, ku u huazua nga Barcelona në fillim të sezonit. Djaloshi kuqezi u fut në minutën e 68-të, ndërsa iu deshën vetëm gjashtë minuta për të shënuar golin e dytë për Spezian në ndeshjen ndaj Cagliari.
Bomberi i Shqipërisë Sokol Cikalleshi performoi në mënyrë të shkëlqyer këtë të diel, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Kayserispor, që u fitua me përmbysje nga Koniaspor (nga 0-2 në 2-3). Me notën 8.4 e vlerësoi “SofaScore” kavajasin, teksa në golin e dytë, Cikalleshi u ndihmua nga një tjetër futbollist kuqezi, mesfushori Endri Çekici.
Pogradecari asistoi bukur, ndërsa sulmuesi kuqezi u vendos në vendin e duhur dhe realizoi me kokë. 30 minuta pati në këmbë Çekici për të dhënë më të mirën e tij në fushën e lojës, teksa u vlerësua me notën 7.3.
Moshat kuqezi nuk ndalen. Pas golit të Tucit të premten, dje ishte radha e Eljon Tocit të realizonte një tjetër gol te Fiorentina U-19. Futbollisti kuqezi shënoi golin e parë për Fiorentinës ndaj Milanit në kampionatin e grupmoshës U-19 në Itali. Një lajm i mirë ky edhe për kombëtaren, që ka në përbërje një sërë talentesh për të ardhmen.
Ivan Balliu është një tjetër lojtar mjaft në formë i kombëtares. Balliu aktivizohet në La Liga me Rayo Vallecano, teksa këtë të diel ndihmoi skuadrën në barazimin ndaj Sevilla. Balliu dha asist për shokun e skuadrës, Bebe, i cili realizoi golin e epërsisë momentale për Vallecano. Ky është asisti i dytë për mbrojtësin kuqezi.
Torino-Inter ishte kryefjala e ditës së djeshme në Serie A, që përfundoi me shifrat 1-1, teksa një nga lojtarët më të mirë të kësaj sfide ishte "gardiani" i Shqipërisë, Etrit Berisha. Futbollisti kuqezi bëri disa pritje të shkëlqyera, duke shpëtuar skuadrën e tij dhe duke i dhënë siguri portës torineze. 7.7 ishte nota e Berishës në këtë sfidë ndaj kampionëve të Italisë.
Minuta nën këmbë këtë fundjavë ka pasur edhe për Armando Brojën në Premier League, Berat Gjimshitin në Serie A, Keidi Baren e Myrto Uzunin në La Liga, Klaus Gjasulën në Gjermani, Ylber Ramadanin në Hungari, Lindon Selahin në Kroaci, Ena Mihaj në Greqi, Ermir Lenjanin e Amir Abrashin në Zvicër.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





