Transmetuar më 09-03-2022, 10:22

Pasi mbërritën si lajme nga shtypi fillimisht, FIFA komunikoi zyrtarisht vendimet e saj në lidhje me ndeshjet kualifikuese për “Katar 2022”. Po flasim për “play off”-in që përfshin edhe Ukrainën me Rusinë. Dy vende në luftë me njëra-tjetrën, të cilat nuk mund t’iu përgjigjen garave ndërkombëtare për arsye të ndryshme.

Në përmbledhje, tri vendimet kryesore të marra nga FIFA janë: shtyrja e ndeshjes mes Skocisë dhe Ukrainës për në qershor, e planifikuar për më 24 mars; fitorja në tavolinë e Polonisë kundër Rusisë, e cila do të luajë vetëm në finale e “play off”-it kundër Suedisë ose Republikës Çeke.

Apeli i shpallur tashmë nga Federata Ruse e Futbollit varet nga vendimi që do të marrë Gjykata e Lozanës (CAS). Sikurse dihet, Federata Ruse e Futbollit (RFS) e ka apeluar zyrtarisht në CAS pezullimin nga të gjitha aktivitetet e futbollit, si për klubet, ashtu edhe për ekipet kombëtare, të urdhëruar nga FIFA dhe UEFA më 28 shkurt.

Ankesa është paraqitur edhe kundër federatave të futbollit të Polonisë, Suedisë, Republikës Çeke, Malit të Zi, Maltës, Greqisë, Bjellorusisë, Danimarkës, Luksemburgut, Austrisë, Portugalisë, Spanjës, Irlandës dhe Francës.

Në ankesë, RFS i kërkon CAS-it të anulojë vendimet e pezullimit dhe t’i rikthejë të gjitha klubet dhe ekipet kombëtare ruse në garat e FIFA-s dhe UEFA-s. RFS gjithashtu paraqiti një kërkesë për të pezulluar ekzekutimin e secilit vendim të kontestuar. CAS bën të ditur se brenda pak ditësh do të marrë një vendim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd