
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, njëherësh deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj ishte ndër deputetët e PD-së që në mbledhjen me dyer të mbyllura kërkoi largimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 Marsit.
Basha ka deklaruar para grupit se “6 marsi ishte një kurth dhe se PD ishte e detyruar të merrte pjesë, por rezultati ishte shumë larg pritshmërive”.
Por gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Ferdinand Xhaferraj ka thënë se “Lulzim Basha ka fyer demokratët duke thënë se ai nuk kishte humbur asnjë garë”. Reagimi nga Xhaferraj erdhi pak orë pasi Basha tha për mediat se ai nuk kishte humbur asnjë garë që kur ka hyrë në politikë. Basha shmangu kështu humbjet radhazi në 2015, 2017, 2019, 2021 dhe 2022.
“Unë jam deputeti më i vjetër dhe nuk kam ambicie për karrierë politike, por kam përgjegjësi për fatin e PD", tha Xhaferraj dhe shtoi:
1) Disa muaj me pare ne morëm vendimin për largimin e Berishës. Disa kolegë iu bashkuan dhe e kam shprehur që kanë bërë gabim se Berisha nuk është zgjidhja. Berisha nuk është zgjidhje sepse është problemi dhe ju rekomandoj që askush nga ju kolegë nuk duhet të shkojë tek Berisha.
2) Ju z. Basha i keni fyer sot demokratët duke i thënë që nuk keni humbur asnjë garë.
Mund të jeni i sinqerte kur bëni këtë deklaratë lidhur me jetën tuaj private, por politikisht jeni tallur apo keni fyer demokratët dhe ketë unë nuk ta pranoj.
Zgjidhja është një dhe e vetme. Largimi juaj z. Basha si e vetmja mundësi që hap rrugën për një proces të vështirë por shpresëdhënës për betejën e vitit qe vjen. Ky grup parlamentar e ka potencialin dhe mundësinë të prodhoje zgjidhje”, mësohet të ketë thënë Xhaferraj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





