
Për të ndjekur me energji ëndrrën e titullit nuk ka gjë më të mirë se të kesh një trajner kampion. Stefano Pioli nuk e përmend kurrë atë fjalë, preferon të merret me veten dhe me pikët e grumbulluara nga Milani në kampionatin e kaluar. Por ambienti i kuqezinjve beson në të, në mundësinë e rikthimit te titulli pas 11 vitesh.
Dhe kush e di nëse arritja e Alberto Zaccheroni, njeriu që më 1999 i dha "Djallit" një nga titujt më pak të pritur në historinë e gjatë të kuqezinjve, nuk është frymëzim për trajnerin e sotëm: 126 stola për emilianin Pioli, 125 ndeshje për Zac nga Romagna.
“Nëse do të ishte në dorën time do të qëndroja përgjithmonë te Milani”, – përsëriste shpesh Pioli, para dhe pas nënshkrimit të zgjatjes së kontratës. Nëse synimi është të bëhet trajneri me më shumë paraqitje ndonjëherë te Milani, në fakt atij do t’i duhej drejtimi për një periudhë të pacaktuar. Sepse Nereo Rocco, i pari në këtë listë, është larg kufijve të arritshëm: 459 stola, të grumbulluara në 13 sezone.
Ai ka pranë vetëm Carlo Ancelotti, i cili u ndal në 420 ndeshje. Lista e më rezistentëve në drejtimin e Milanit vazhdon me Giuseppe Viani (376), Fabio Capello (300), Nils Liedholm (280), Arrigo Sacchi (220), Antonio Busini (193), Massimiliano Allegri (178) dhe Jozsef Banas (173). Pastaj janë ata: Pioli dhe Zaccheroni.
Kurioziteti? Në këtë listë, të vetmit që nuk e kanë fituar titullin janë Busini dhe Banas, të cilët megjithatë kanë qenë trajnerë në periudhën e luftërave, kur futbolli ishte realisht i fundit në mendimet e të gjithëve.
Çfarë kanë të përbashkët Pioli dhe Zaccheroni? Jo shumë nga pikëpamja e moduleve të lojës. Zac ishte babai i 3-4-3, Pioli nuk tërhiqet kurrë nga mbrojtja me katër. Por nuk ka shumë kuptim të krahasohen sistemet e lojës në periudha të ndryshme, futbolli ndryshon gjatë gjithë kohës dhe taktikat evoluojnë hap pas hapi.
Qëndrimi i guximshëm dhe proaktiv i ekipeve të tyre është një tipar që i afron dy teknikët, por ka edhe një aspekt interesant motivues, i cili duhet theksuar. Në sezonin 1998-1999, Zac foli me njerëzit e tij në dhomat e zhveshjes dhe tha: "A i keni lexuar gazetat? Askush nuk na vendos ndër favoritët për titull".
Fjalë të përdorura edhe nga Pioli së fundi, këtë herë para mikrofonave të televizioneve, për të nënvizuar sesi Milani i tij është i rrethuar nga një atmosferë skepticizmi nga ana e ekspertëve. Prekja e lojtarëve në krenarinë e tyre, duke i shtyrë ata të kapërcejnë limitet, është strategji e vogël për ëndërra të mëdha. Në vitin 1999 ka funksionuar, kushedi këtë vit…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





