
Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se ditët në vijim pritet të jenë më të këqija për sa i përket luftës Ukrainë-Rusi.
Gjatë fjalimit të tij në Samitin e ministrave të Jashtëm në Bruksel, Stoltenberg, tha se Rusia mund të përdorë armë më të rënda ndërsa forcat ruse po përparojnë në Ukrainë.
“Ditët në vijim ka të ngjarë të jenë më të këqija, me një numër më të lartë viktimash, me më shumë vuajtje dhe shkatërrime, sepse forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë sulmet e tyre në të gjithë Ukrainën.”
Stoltenberg pohoi se NATO ka përgjegjësinë për të siguruar që konflikti të mos shtrihet përtej Ukrainës, por shtoi se “NATO nuk po kërkon një luftë me Rusinë".
Sipas tij, NATO nuk ka vendosur për mbylljen e hapësirën ajrore ukrainase, por aleatët kanë rënë dakord që asnjë avion i NATO-s nuk do të fluturojë mbi hapësirën ajrore të vendit” dhe se nuk do të ketë trupa të NATO-s në territorin ukrainas.
“Ne nuk do të dërgojmë trupa në Ukrainë, as në tokë, as në hapësirën ajrore”, ritheksoi Stoltenberg.
“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por gjithashtu besojmë se nëse do ta bënim, diçka e tillë do të përfshinte në luftë shumë vende të Europës.”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





