Transmetuar më 04-03-2022, 07:17

Reagime të forta për sulmin ndaj Ukrainës vijnë edhe nga vetë Rusia. Ish-ministri i Jashtëm rus, Andrei Kozyrev e ka quajtur barbare luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikam Cable News Network (CNN), Kozyrev tha se ajo që po ndodh në Ukrainë “është një akt barbar" dhe shtoi:

"Nuk mund ta imagjinoja kur isha ministër i Jashtëm, ishte krejtësisht jashtë diskutimit, që të ndodhte atëherë një gjë e tillë.

“Por më vonë, fillova të kuptoj se ata po e humbin arsyen dhe ndihen të pandëshkueshëm, si brenda dhe jashtë vendit. Kjo e rriti oreksin për fat të keq, por jo për ndërtimin e Rusisë. Tani me këtë luftë vëllavrasëse po shkatërrojnë të ardhmen e të gjithë njerëzve”, shtoi ai.

Kozyrev tha gjithashtu se sanksionet nga Perëndimi kundër Rusisë “duhet të fillojnë të synojnë vendimmarrësit ose ekzekutuesit e atyre vendimmarrësve në qeveri”.

Ai paralajmëroi se sanksionet që synojnë presidentin rus, Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov janë “si të mos bësh pothuajse asgjë – sepse asgjë, asnjë pasuri, nuk është në emrat e tyre. Nuk mund t’i gjesh asetet e tyre. Është e gjitha [me] emra njerëzish të tjerë”.

Më herët, Kozyrev shkroi në Twitter duke u bërë thirrje të gjithë diplomatëve rusë të japin dorëheqje nga postet e tyre në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës.

Kozyrev ishte ministri i parë i jashtëm i Rusisë nën presidencën e Boris Jelcinit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd