
Familja Kloci në Greqi u shua thuajse e tëra. Vetëm djali rreth 11 vjeç mbeti i gjallë. Dy djemtë e tjerë, 1 dhe 2 vjeç, vdiqën pasi u mbytën. Kurse prindërit e tyre, Armando 32 vjeç nga Lushnja dhe Marija Dosku 37 vjeçe nga Librazhdi, u vranë me armë zjarri në një krim të rëndë ku dyshohet se u përdor dhe sëpata.
Autori i dyshuar i krimit është ish bashkëshorti i Marias, i cili duket se la të gjallë vetëm 11 vjeçarin që ishte fëmija i tij me të ndjerën.
Policia është në kërkim të autorit të vrasjes së katërfishtë dhe sot paradite raportohet se është lokalizuar vendndodhja e tij.
Nga hetimet e kryera doli se autori, pasi u ka marrë jetën katër personave, ka nxjerrë fillimisht prindërit në oborr dhe më tej ka planifikuar të nxjerrë dhe të vegjlit nga brenda shtëpisë.
Në fillim ka futur në rimorkio makine, trupat e burrë e grua. Më pas ka nxjerrë fëmijën 2 vjeç dhe e ka lënë pranë rimorkios, por duket se është trembur nga diçka sepse ka lënë çdo gjë në mes dhe ka ikur me vrap nga vendngjarja.
Policia tha se autori kishte si plan të fuste të gjithë trupat në rimorkio, ti mbulonte ato dhe ti tërhiqte me makinë për një vend të pacaktuar, me qëllim zhdukjen e gjurmëve të krimit, por nuk ka arritur të përfundojë planin e tij të sëmurë dhe mori arratinë.
Pak minuta më pas, djali 11 vjeç që në atë kohë po bënte xhiro me biçikletë në sheshin pranë shtëpisë, u kthye dhe pa në oborr skenën e tmerrshme.
Punonjësit e policisë që kanë marrë në dorëzim rastin janë në pritje të fazës së parë të rezultateve të ekzaminimit makroskopik, si dhe të shqyrtimit të gjetjeve nga hetimet e para brenda shtëpisë.
Sot në Patra pritet të bëhet ekspertiza mjeko-ligjore e katër trupave.
Mbrëmjen e djeshme, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në shtëpinë ku ndodhi vrasja, puna e autoriteteve nuk ka qenë e lehtë dhe për rrjedhojë nuk është bërë e mundur kryerja e duhur e ekspertizës mjeko-ligjore.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka përfunduar pak para orës 10 të mëngjesit të së enjtes. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





