
Artem Dzyuba është kapiten i Zenit Shën Petersburg dhe i kombëtares së Rusisë. Në orët e fundit ai dhe lojtarët rusë në përgjithësi janë vënë në shënjestër për konfliktin në Ukrainë. Atij iu kërkua të mbante qëndrim kundër luftës.
Mbrojtësi i Evertonit, ukrainasi Vitaliy Mykolenko, u tregua shumë i ashpër në një postim në rrjetet sociale, ku e qorton me tone të forta kapitenin e Rusisë për heshtjen, ndërsa "në Ukrainë po vriten civilë të pafajshëm”.
Pas disa orësh, në Instagram ka mbërritur përgjigja e Dzyuba: “Deri para pak kohësh nuk kam pasur ndërmend të flas për atë që po ndodh në Ukrainë. Nuk kam dashur, jo sepse kam frikë, por sepse nuk jam ekspert politik, nuk kam ndërhyrë asnjëherë dhe nuk kam pasur ndërmend ta bëj (ndryshe nga një numër i madh shkencëtarësh, politikanësh dhe virologësh, që janë shfaqur së fundi në internet.)
Por si gjithë të tjerët, edhe unë kam mendimin tim. Meqenëse jam tërhequr në këtë temë nga të gjitha anët, do ta shpreh: Jam kundër luftës. Jam edhe kundër agresionit e urrejtjes njerëzore që çdo ditë e më shumë bëhet shqetësuese.

Unë jam kundër diskriminimit në bazë kombësie, nuk kam turp që jam rus. Jam krenar që jam rus. Dhe nuk e kuptoj pse sportistët duhet të paguajnë për të gjithë këtë. Të gjithë bërtasin gjithmonë duke thënë se politika duhet të qëndrojë jashtë sportit, por në rastin e parë kur bëhet fjalë për Rusinë harrohet fare ky parim.
Po e përsëris që lufta është e frikshme. Në situata stresuese njerëzit e shfaqin thelbin e tyre negativ. Sa inat, sa vrer është derdhur kundër të gjithë rusëve, pavarësisht nga pozicioni dhe profesioni i tyre. Mijëra njerëz që shkruajnë ofendime dhe kërcënime.
Është dyfish e çuditshme t’i dëgjosh të gjitha këto nga njerëz, të cilëve Rusia iu ka dhënë shumë në jetën e tyre. Të gjitha këto gjëra vetëm krijojnë më shumë negativitet. Lufta do të përfundojë, por marrëdhëniet njerëzore do të mbeten. Dhe do të jetë e pamundur të rikthehet kaseta, mbajeni mend këtë".
Fjalia e fundit, e paraprirë nga një "p.s", ndoshta i kushtohet Mykolenkos dhe lojtarëve të tjerë ukrainas që luajnë në Angli, si për shembull, Andrei Yarmolenko i West Ham: “Për disa kolegë, që janë me bythët e tyre në divanin e një vile komode në Angli, dua të them: ne nuk mund të ofendohemi nga këto gjëra, duhet të përpiqemi t’i kuptojmë të tjerët”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





