
Christian Vieri ka komentuar deklaratat e trajnerit të Lazio, pas eliminimit nga "Europa League". Njëshi i pankinës bardhekaltër tha: “Të marrim anët pozitive nga dalja jashtë Europës, skuadra po rritet dhe më në fund do të mund të stërvitemi seriozisht”.
Pra, Sarri nuk e dramatizoi eliminimin përballë Portos nga "Europa League". Një temë që ka ndezur debate mbi Lazion dhe ambiciet e klubit bardhekaltër. "Kam qenë te Lazio për një vit dhe kam fituar Kupën e Kupave.
Sarri tha: Tani, më në fund, mund të stërvitemi. Nuk dua t’i dëgjoj këto deklarata budallallëqe", – komentoi shumë i zemëruar Christian Vieri. Ish-bomberi italian nuk e kapërdin dot një justifikim të tillë të trajnerit të Lazio:
"Kështu, siç thotë Sarri, i bie të shkojë në Serie B ose Serie C dhe të luajë një herë në javë. Unë nuk dua t’i dëgjoj këto gjëra, sepse Lazio duhet të luajë në Champions ose ‘Europa League’ çdo vit.
Kështu që Sarri s’mund të thotë: Eh, tani jemi jashtë Europe dhe më në fund mund të stërvitemi. Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë: tani mund të stërvitemi. Nëse nuk ju pëlqen kalendari i ngjeshur, shkoni trajner në Serie C, atje luajnë një herë në javë. Më duket çmenduri ajo që tha Sarri".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





