Transmetuar më 28-02-2022, 18:52

Negociatat mes delegacioneve ukrainase dhe ruse për një armëpushim kanë përfunduar pasi u zhvilluan në tre pjesë për afro shtatë orë. Kjo është raportuar nga disa agjenci lajmesh dhe media ruse dhe ukrainase. Këto negociata u kryen në brigjet e lumit Pripyat, në rajonin Gomel të Bjellorusisë.

Sipas një negociatori ukrainas, Rusia dhe Ukraina po planifikojnë një "raund të dytë" negociatash. Kjo do të ndodhë "së shpejti", ndoshta brenda disa ditësh, tha ai.

Sipas kryekëshilltarit të Zyrës Presidenciale të Ukrainës, të dy delegacionet do të nisen për në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe më pas do të pasojë një raund i ri negociatash.

Delegacionet kanë "përcaktuar pikat kyçe" ku "mund të bëhet përparim" në bisedimet e ardhshme, tha këshilltari i Kremlinit, Vladimir Medinski, citon noa.al.

Në të njëjtën kohë, siç u bë e ditur, të dyja palët identifikuan një sërë çështjesh që kanë prioritet, ndërsa kanë përcaktuar edhe një listë të zgjidhjeve të mundshme.

Raundi i ri i bisedimeve do të zhvillohet jo më në Bjellorusi, por në kufirin polako-ukrainas.

Sipas një negociatori rus, delegacioni ukrainas ishte i gatshëm të "dëgjonte dhe në bisedime kishte diskutime të thella për çështjet përkatëse". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd