Transmetuar më 28-02-2022, 13:02

Në mes të një gare shumë të nxehtë për titullin, Milani dhe Interi do të përballen nesër në “San Siro” për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Stefano Pioli e prezantoi derbin në konferencën për shtyp.

Rikthehet “Coppa Italia”, një mundësi për trofe. Nesër priten shumë tifozë në stadium, si i qaset skuadra juaj kësaj ndeshjeje?

Me vëmendje dhe përqendrim të madh. Është vetëm ndeshja e parë dhe kthimi do të jetë pas një kohe të gjatë, por është e rëndësishme ta fillojmë mirë. Prania e tifozëve tanë do të na japë energji dhe motivim shtesë.

Cili është problemi i Milanit në këtë periudhë?

Jam dakord me atë që tha Maldini: është koka që komandon trupin, të bën më të kthjellët dhe të luash me cilësi më të madhe. Jemi në një moment vendimtar të sezonit, po luhen fatet tona. Jemi rritur shumë. Mos harroni se e filluam nga vendi i dhjetë dhe tani luajmë për Kupën e Italisë dhe kampionatin. Ndeshjet e fundit nuk kemi qenë në maksimum, mund të bëjmë më mirë. Kemi mbjellë shumë, tani duhet të fillojmë korrjen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të hedhim hapin e fundit për t’u bërë fitues. Hapi i fundit është më i vështiri për t’u hedhur. Pastaj, kemi shumë lojtarë të rinj…

A i besoni një Interi në krizë?

Sezoni ka qenë i vështirë për të gjitha skuadrat, alternon momentet optimale dhe më pak optimale. Kampionati është shumë i balancuar, Milani dhe Interi janë ndër skuadrat më të forta. Për nesër nuk bëj dot parashikime, sepse është derbi. Si gjithmonë, kush do të fitojë më shumë duele individuale do të ketë më tepër shanse për fitore.

A është kjo, java më e rëndësishme për Milanin tuaj?

Tashmë kemi përballur periudha të rëndësishme, me ndeshje të forta. Kjo do të jetë një javë shumë e rëndësishme, por nuk do të vendosë fatin tone. Në Kupën e Italisë do të ketë ndeshje kthimi. Pas Napolit në Serie A do të kemi edhe 10 ndeshje të tjera.

A do ta vuani mungesën e Tonalit?

Ai është një lojtar i rëndësishëm, por kemi alternativa për ta zëvendësuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

A mund të sjellë derbi entuziazëm?

Kemi nevojë për kësi ndeshjesh, duhet të bazohemi në mënyrën tonë të lojës. Na nevojitet guxim dhe forcë. Ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Megjithatë, jemi të fokusuar vetëm te derbi i nesërm.

A është problem mental apo taktik i Milanit, që ka vuajtur në dy ndeshjet e fundit?

Numrat kur janë kaq të mëdhenj nuk gënjejnë kurrë. Kishim disa vështirësi, nuk ishim në gjendje t’i mbyllnim ndeshjet dhe, në të njëjtën mënyrë, nuk ishim në gjendje të kontrollonim disa lloje lojërash. E paguam shtrenjtë.

A mendoni se rezultati i nesërm do të ndikojë në kampionat?

Është një kompeticion tjetër dhe raundi gjysmëfinal do të zgjasë 180 minuta, por është ende një derbi dhe sjell shumë emocione e humor të mirë apo të keq. Nesër do të jetë e rëndësishme të shkojmë në finale të kupës dhe të fitojmë më shumë besim e entuziazëm për kampionatin.

A mbështetet Milani shumë tek individët?

Nuk ka qenë asnjëherë pjesë e mentalitetit tonë dhe kjo nuk po ndodh, por në dy ndeshjet e fundit kemi rënë në aspektin cilësor. Luajmë si ekip, duke u përpjekur të shfrytëzojmë karakteristikat e individëve, sepse kemi lojtarë të fortë.

A jeni dakord me Allegrin për shanset e titullit me 84 pikë?

Nuk e di, Max është shumë i mirë, por edhe unë kam qenë i mirë në matematikë. Skuadrat e para do të luajnë titullin dhe Champions League. 33 pikë në dispozicion janë shumë, por nuk e di sa do të duhen në total. Napoli është i vetmi ekip që ka grumbulluar më shumë pikë se ne, pas Krishtlindjeve. Kampionati është shumë i vështirë dhe të gjitha ndeshjet janë shumë të forta. Prandaj, e shoh të vështirë për të bërë një parashikim. Më shumë se 80 pikë do të duhen, sigurisht.

Si është Ibrahimovic, a mund të kthehet ndaj Napolit?

Ai është pak më mirë, por nuk e di nëse do të bëhet gati për Napolin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd