Transmetuar më 27-02-2022, 19:41

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke u justifikuar me faktin se vepron me aleatët në kuadrin e NATO-s, sot pasdite Olta Xhaçka, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpalli një paketë sanksionesh që siç tha, Shqipëria pritet të nisë të aplikojë që nga sonte kundër Rusisë.

Hapësira ajrore e Republikës së SShqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi.

Kjo do të thotë se asnjë avion rus nuk mund të ulet në Shqipëri, por as mund të fluturojë në hapësirën ajrore të vendit tonë.

Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.

Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. Këto sanksione, nuk do të prekin tregtinë jetike, por ato pjesë të biznesit që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen. Kështu, në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksporti në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosen kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.

Së fundi, masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte, duke u ngrirë asetet si dhe duke anuluar vizat për ta.

Gjithë këto sanksione, praktikisht kanë një ndikim thuajse zero për Rusinë, e cila përballen me telashe shumë më të mëdha.

Por nëse Rusia do të zbatojë reciprocitetin, sa dëmtohen shqiptarët?

Nëse ju sjellim vetëm dy shembuj, duket qartë se rrezikojmë shumë.

Plot 80 për qind e karburantit që futet në Shqipëri, vjen nga Rusia, siç ka bërë të ditur ambasada ruse në Tiranë.

Të paktën 65 për qind e miellit dhe grurit që qarkullon në Shqipëri, vjen sërish nga Rusia.

Këto prodhime ruse arrijnë në Shqipëri përmes Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, etj.

Nëse Rusia do të zbatojë reciprocitetin, ne do të mbeteshim pa bazën e bukës dhe pa karburant, nëse nuk do të zëvendësonin menjëherë tregjet. E kjo duket të jetë shumë e vështirë jo vetëm në këto kohë të trazuara, por edhe për faktin se ka mbi 20 vjet që importet e Shqipërisë për këto dy artikuj jetikë, janë në të njëjtat nivele.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd