Transmetuar më 25-02-2022, 18:12

38-vjeçari Fehtah Jata është vënë në prangat e policisë në Kamëz, pasi ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas ka kërcënuar edhe efektivët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 në Kamzë, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në Kamzë, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative se mund të kishte qëlluar një person me precedent penal në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Shooting”.

Shërbimet e Policisë janë afruar në banesën në të cilën dyshohej se fshihej personi me armë dhe i kanë bërë thirrje që të hapte derën dhe t’i bindej kontrollit të Policisë.

38-vjeçari nuk i është bindur thirrjes së Policisë, por ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar se do qëllonte në drejtim të punonjësve të Policisë.

Pas ndërhyrjes profesionale të punonjësve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit:

Fehtah Jata, 38 vjeç, banues në rrugën "Moxart", Kamzë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i cili u kap me armë në dorë, me fishkë në fole gati për qitje.

Në cilësinë e provës materiale u sekestruan një armë zjarri kallashnikov, dy karikatorë me fishekë luftarak dhe 11 gëzhoja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd