Transmetuar më 24-02-2022, 08:46

Analizë nga Prof. Dr. Elvin Meka

Përdorimi i çmimit të gazit rus si shantazh për Evropën ka disa defekte logjike.

Së pari, në plan afatshkurtër patjetër që qe do të ketë efekt në çmime, si çdo lloj krize, por më pas do të fillojë të shkojë në nivelin logjik të kërkesë ofertës.

Së dyti, hapja oe mbyllja e rubinetit dhe caktimi abuziv i çmimit të gazit nga GAZPROM do të kishte efekt të pariparueshëm mbi besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë kompanisë, gjë që do të dëmtonte reputacionin e saj ndërkombëtar në raport me klientët dhe do t’i vendoseshin klauzola shkatërruese lidhur me sigurinë e zbatimit të kontratave, si dhe pagesa të kripura policash sigurimi.

Së treti, zevendesimi i Evropës si klient me Kinën, nuk është opsion afatshkurtër, madje as afatmesëm, pasi ndërtimi i një gazsjellësi zgjat në kohë. Për më tepër, kinezët janë shumë më të frikshëm në negociata sesa evropianët dhe GAZPROM-it nuk do t’u paraqitet fushë me lule në tregun kinez.

Po ashtu, mungesa e seriozitetit me hapje dhe mbyllje rubineti, si dhe caktimi abuzv i çmimit do t’i bëjë kinezët skeptikë në bashkëpunim, pasi miqësi të përjetshme nuk ka.

Së katërti, kufizimi i shitjeve në Evropë nga GAZPROM, jo vetem që do të ulë ndjeshëm të ardhurat e kompanisë, por dhe kontributin në buxhetin e shtetit rus, gjë që do të ketë ndikim të menjëhershëm në financat publike, të cilat do të vendosen në presione të shumanshme edhe nga sanksionet, të cilat sa do të vijne e do të përshkallëzohen, duke rritur përditë vështirësitë e ekonomisë ruse, e cila përtej energjisë dhe burimeve natyrore nuk ka thuajse asnjë lloj avantazhi konkurrues në tregun ndërkombëtar.

Pengimi i shitjes së lëndëve të para dhe mineraleve në tregun ndërkombëtar do të falimentojë ekonominë ruse më shumë sesa do të çojë në kolaps ekonominë ndërkombëtare.

Mungesa e seriozitetit të GAZPROM do ta djegë përfundimisht atë si partner biznesi në Evropë, madje çdo lloj biznesi rus në Evropë dhe më gjerë. Pra llogaritë nuk duhet të bëhen vetëm me dhe për gazin, por për të gjithë establishmentin ekonomik rus në Evropë dhe në botë.

Mospasja e një monedhe të pranuar ndërkombëtarisht si mjet shkëmbimi dhe ruajtëse vlere, si dhe varësia e ekonomisë vetëm nga burimet natyrore, janë mangësi që në plan afatgjatë nuk mund të ndihmojnë një shtet të jetë superfuqi globale e qëndrueshme.

Në finale, fillimi i një operacioni të mirëfilltë luftarak do të kërkonte burime ekonomike dhe financiare të jashtëzakonshme, të cilat Rusia më së paku nuk i disponon, e më së shumti as që ka gjasa t’i garantojë me presionet rreth çmimeve të lëndëve të para.

Pastaj, nuk ka asnjë garanci që, rihapja e problemeve në Siri dhe rifllimi i negociatave Iran – SHBA ta bëjnë Rusinë të luftojë në tre fronte njëherësh e të marrë pjesë njëkohësisht në to, duke e çorientuar tërësisht atë.

Me nivelin aktual të financave publike që ka Rusia dhe me aeroplanmbajtesen me naftë "Admiral Kuznetsov", që bën motor rrugës duke shkuar për në Siri, fitorja është e garantuar!

Luftën e bëjnë të pasurit që të pasurohen edhe më shumë dhe jo ata që nuk e përballojnë dot atë!