
Si mund të befasohet dikush si Nicklas Bendtner? Danezi është i famshëm, sepse në karrierën e tij nuk i ka munguar asgjë, mes eksperiencave në fushë (Arsenal dhe Juventus) dhe veseve jashtë fushës. Prandaj duhet diçka e jashtëzakonshme për ta lënë atë pa fjalë.
Ashtu si ajo që i ndodhi në ditën e tij të parë te Juventusi. Qendërsulmuesi mbërriti në Torino si huazim në sezonin 2012-2013, nuk ishte protagonist te bardhezinjtë, por gjithsesi e jetoi epokën e Conte në maksimum. Dhe pak kohë më parë ai shpjegoi për BBC5 se momentet e para në dhomat e zhveshjes së Juventusit i bënë një përshtypje të veçantë…
"Nuk po i gjeja dot djemtë (bashkëlojtarët), gjithçka ishte pak e çuditshme, veçanërisht sepse ishte dita ime e parë te Juventusi. Më pas gjeta 10 a 12 lojtarë në banjë, duke biseduar dhe pirë cigare. Ishte diçka e mrekullueshme dhe më bëri të mendoj se do të ishte një përvojë argëtuese".

Kurioziteti i intervistuesit ishte aq i madh, sa e pyeti danezin nëse atëherë, te Juventusi, mund të ndodhej në banjë duke pirë cigare me Buffon apo Pirlon: "Po, dhe çfarë mund t’iu thuash dy lojtarëve të tillë?
Nëse shikon karrierën e tyre dhe çfarë profesionistësh të mëdhenj janë… Ishte diçka që më hapi sytë, dhoma e zhveshjes ishte e mahnitshme, kështu që askush nuk shqetësohej të pinte duhan". Diçka që nga ana tjetër, në Premier League rrezikoi të bëhej problem real shtetëror.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi kur një nga "djemtë e këqij" të futbollit italian, Mario Balotelli, u kap me një cigare në dorë: “Është qesharake, sepse më kujtohet kur Mario Balotelli erdhi në Angli dhe të gjithë flisnin për të, sepse e kapën duke pirë duhan në banjë.
Ai u kryqëzua nëpër gazeta, si një futbollist që pi duhan. Por, në çdo ekip ku unë luajta, gjeta dikë që pinte duhan. Ishte një gjë shumë e zakonshme në Itali, shumë më tepër se në Angli”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





