Transmetuar më 18-02-2022, 14:09

Kur bëhet fjalë për çështjet e zemrës, kolesterina e lartë mund të jetë një nga kërcënimet më të mëdha. Kjo është për shkak se kur nivelet e kolesterinës rriten shumë, trupi zhvillon depozita yndyrore që mund të bllokojnë rrjedhën e gjakut në enët e gjakut.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se arteriet e bllokuara mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, dy nga shkaktarë kryesor të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Kjo çështje serioze nuk është e pazakontë.

Mes viteve 2015 dhe 2018, rreth 12 për qind e amerikanëve mbi moshën 20-vjeçare kishin nivele të larta të kolesterinës së keqe e njohur ndryshe si LDL, dhe nivele të ulëta të kolesterinës së mirë apo HDL. Kjo mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh si dieta e varfër, mungesa e stërvitjes ose konsumimi i tepërt i alkoolit dhe pirja e duhanit.

Ndërsa të gjithë këta faktorë mund të kontribuojnë në rritjen e niveleve të kolesterinës, ne mund të përqendrohemi në atë që mund të bëjë ndryshime të vogla, e që është dieta juaj. Për shembull, edhe ndryshimi i llojit të vajit me të cilin gatuani është zbuluar se ndihmon në menaxhimin e niveleve të kolesterinës.

Sipas një studimi të publikuar në gazetën “The Journal of Nutrition”, vaji i palmës është prej vajrave më të dëmshme për njeriun sepse përmban shumë yndyra të ngopura. Sipas këtij hulumtimi, krahasuar me vajrat vegjetale që kanë më pak yndyra të ngopura, konsumimi i vajit të palmës rrit ndjeshëm nivelet e kolesterinës së keqe.

Po ashtu, yndyrat e ngopura që gjenden në vajin e palmës, vajin e kokosit, mishin e kuq, gjalpin dhe shumicën e akulloreve, janë të dëmshme për shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe duhet të konsumohen gjithmonë me kujdes të shtuar.

Zëvendësimi i vajit të palmës me yndyrë të pangopur mund t’ju ndihmojë të zvogëloni rrezikun e kolesterinës së lartë. Studiuesit zbuluan se vajrat e farave si vaji i lulediellit apo farave të lirit, janë më të mirat për uljen e niveleve të kolesterinës.

Pavarësisht nëse luftoni me kolesterinën aktualisht ose keni zbuluar se jeni në rrezik të lartë, zgjedhja e vajit me të cilin gatuani ose konsumoni rregullisht mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës suaj. Nëse mundeni, provoni të zëvendësoni vajin ose gjalpin e palmës me vajra të farave, lulediellit ose ullirit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd