
Liverpool-i mori në shtëpi “kokën” e Interit, falë dy golave të shënuar në çerekorëshin e fundit të lojës, pasi kishte rrezikuar të merrte goditjen fatale për një kohë të gjatë. Si një formacion cinik, skuadra angleze vuri njërën këmbë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Në sfidën e kthimit, në “Anfield”, skuadra e Jurgen Klopp do të duhet të mbrojë epërsinë e mbrëmshme 2-0. Pas ndeshjes së “San Siros”, trajneri gjerman u shpreh natyrshëm i kënaqur:
“Ne vuajmë shpesh, siç ndodhi sonte. E pranoj, nuk ishim shumë të shkëlqyer. Kjo, edhe falë Interit, që luajti një ndeshje të shkëlqyer. Perisic dhe mbrojtësit shpesh na vunë në vështirësi. Zikaltrit kanë një ekip vërtet të mirë”.
Firmino erdhi nga pankina dhe firmosi për epërsinë 1-0, por edhe zëvendësimet e tjera e ndryshuan lojën. Klopp e shikon këtë gjë si çelësin e suksesit: “Zëvendësimet ishin çelësi, shënuam dhe patëm raste të tjera. Të gjithë mund të jemi të kënaqur me atë që kemi bërë ndaj zikaltërve. Në fund të fundit, në futboll vlen vetëm fitorja”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





