Ditën e sotme emisioni “Stop” trajtoi rastin e një qytetareje, e cila thotë se noterja Majlinda Lleshi ka falsifikuar testamentin e vjehrrës së saj.
Qytetarja Arta Çika shkoi të ballafaqohej me noteren, por mbeti peng në zyrën e Majlinda Lleshit. Kjo e fundit nuk e la të dilte dhe thërriti policinë.
Notere Majlinda Lleshi: Por ti ke gjetur rrugën e gabuar që të merresh me mua, atë problem që ti ke me zonjën në fjalë..
Denoncuesja: Ku me zonjën në fjalë, e bëre ti(testamentin) e ke bërë ti.
Notere Majlinda Lleshi: Atë që kam bërë unë, mbaj përgjegjësi unë.
Denoncuesja: Po mbaje, mbaje pse trembesh, pse trembesh.
Notere Majlinda Lleshi: Unë trembem? Unë do thërras policinë.
Denoncuesja: Do ta thërras edhe unë policinë, hajde të vemi bashkë.
Notere Majlinda Lleshi: Tani, tani vjen policia, mos u shqetëso.
Denoncuesja: Hajde tani, mos më tremb mua, se çdo më bërë policia mua.
Notere Majlinda Lleshi: Do të shpije në polici brenda.
Denoncuesja: Po moj zonjë, po. Hajde hapëm derën mua të dal, po të them si njeri, mos të sillem unë të kalojmë në metoda të tjera.
Notere Majlinda Lleshi: Jo.
Denoncuesja: Se unë do vete në polici, të bëj denoncimin në polici, se ti më ke mbajtur brenda, ti po më mban peng mua këtu zonjë.
Notere Majlinda Lleshi: Do të mbaj moj, deri sa të vijë policia.
Denoncuesja: Mirë do vijë policia, hajde të shkojmë bashkë, mos më mbaj peng mua dhe mos më detyro të kaloj në gjëra të tjera.
Notere Majlinda Lleshi: Një sekondë ,të lutem kalo atje, nuk të lë të dalësh.
Pas kësaj situate është njoftuar grupi i emisionit “Stop” të cilët kanë shkuar në zyrën e noteres. Pasi vjen policia, ajo bindet që të hapë derën.
Por ndodhi ajo që nuk pritej! Noterja Lleshi në sy të forcave të rendit kërcënon gazetarin e “Stop”, se do ta vrasë dhe godet fizikisht gazetarin dhe kameramanin.
“O ndyrësirë, të godas dhe të mbys fare. Edhe ti plehrë (godet operatorin)! Do të të vras fare (i drejtohet gazetarit)”, thotë noterja.
Siç duket edhe nga pamjet, pasi godet gazetarin, noterja ka dhunuar edhe operatorin, madje duke i tentuar që t’i thyejë kamerën. Të gjitha kërcënimet dhe dhuna ndodh në sy të forcave të rendit.
Pas kësaj ngjarje, drejtuesi i emisionit Saimir Kodra tha se noterja u shoqërua në Komisariatin nr. 2, por sipas tij, Prokurori Albert Demirneli e ka quajtur mëse normale çfarë ka ndodhur.
“Në këtë reformë drejtësie ka çdo muaj një prokuror dezhurn që qëlloi Albert Demirneli. Një burrë, prokuror që e ka kaluar Vettingun, por fati i keq i Gentit dhe i gazetarëve që do rrihen nëse do ketë më mundësi t’i rrahë Majlinda Lleshi është se po të jetë gjithmonë Albert Demirneli dezhurn, e ka pasur shoqe klase dhe më pas ka punuar me të, ky prokuror dhe ajo Oficere e Policisë Gjyqësore. Ia bënte zemra atij që ta ndalonte mbrëmë në flagrancë noteren? Jo. E pra.Shikoni si dhunohen gazetari dhe operatori, por prokurori e quan mëse normale. I rashë telefonit kërkova të flisja si nuk e ndalon në flagrancë atë, por sot në mëngjes më shkruajti mesazh dhe më tha kush je prapë. Si duket sot do të jetë ftilluar, mëlçia si duket ia përpunon me vonesë alkoolin, punë e tij. Problemi është or ti Albert Demirneli, nëse unë Saimir Kodra, personalisht do të shkoj në zyrën e noteres dhe do ta godas për një mijë e një arsye, i revoltuar për këto procedura jo ligjore që ka bërë. Do të dorëzohem vetë në komisariat dhe s’besoj se do më arrestosh në kushtet e flagrancës se kam goditur një notere apo jo? Se nuk bën sens, me të njëjtën logjikë që nuk ndalove noteren ku goditi gazetarin. Jam i sigurt që mua do më ndalosh, do më kërkosh dënim dhe është mëse normale”, tha Kodra.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd