Transmetuar më 16-02-2022, 20:07

Pandemia duket se po shënon fundin e saj dhe nga Belgjika vijnë lajme të mira mbi kushtet e deritanishme të lëvizjes që nga sot janë zbutur shumë dhe hyjnë në fuqi më 18 shkurt 2022, raporton noa.al.

Për të gjitha udhëtimet në Belgjikë, nuk do të ketë më as tampon dhe as karantinë, nëse udhëtari provon se ka marrë dy doza vaksine, apo është shëruar nga kovidi.

Për më tepër, ata që futen më Belgjikë dhe qëndrojnë deri në 48 orë nuk kanë asnjë detyrim, njoftoi Komiteti Konsultativ në Mbretërinë e Belgjikës.

"Për këdo që hyn në vend, pra si për rezidentë ashtu edhe për jorezidentë dhe që ka bërë vaksinën, apo është shëruar, apo është testuar vullnetarisht, nuk ka më asnjë detyrim testimi, as ditën e parë të mbërritjes, as ditën e shtatë dhe as karantinë", tha Komiteti Konsultativ.

Banorët belgë që nuk kanë një nga këto certifikata dhe që udhëtojnë nga një vend me një situatë të pafavorshme epidemiologjike duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë të antigjenit (RAT) ose një testi PCR në ditën e parë pas mbërritjes së tyre në Belgjikë.

Për njerëzit nga vendet ose rajonet me qarkullim të një varianti të ri shqetësues në të ardhmen, rregullat strikte për testimin dhe karantinimin mbeten të pandryshuara.

Këto masa të reja do të zbatohen nga data 18 shkurt 2022. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd