
José Mourinho, pas barazimit me Sassuolo, ka mohuar se po përjeton tensione me dhomën e zhveshjes së të tijve. Frazat e tij të supozuara pas humbjes së kupës ndaj Milanit, të zbuluara nga "Corriere dello Sport" ("nëse nuk keni tope, shkoni të luani në Serie C"), vazhdojnë të shkaktojnë bujë në Itali.
Ditën e djeshme në "Sky Sport", vetë Fabio Capello kritikoi "Special One": “Ato fraza ofendojnë lojtarët, duhet të kërkosh respekt, por edhe ta japësh”. Për trajnerin veteran italian, Mourinho që sulmon lojtarët e tij “ka përdorur fishekun e fundit”.
Për Capello-n, “nëse ofendon si Mourinho”, pasojat janë edhe “dëm financiar i klubit, diçka shumë e rëndësishme”. Italiani e analizoi kështu momentin e verdhekuqve, të cilët kanë fituar vetëm tri herë në nëntë ndeshjet e fundit zyrtare:
“Mou është mësuar të fitojë, në këtë situatë të komplikuar ndoshta ka humbur durimin. Romës ndoshta i mungojnë liderët në fushë. Disa lojtarë me karakter do t’i kishin thënë diçka trajnerit…”
Për Capello-n, e gjitha kjo polemikë mund të jetë edhe një strategji e portugezit: "Disa lojtarë janë hija e asaj që kanë qenë në të kaluarën, si Mkhitaryan dhe Veretout. Mourinho pa që ata nuk po përmirësohen taktikisht. Ai nuk mundi ta rregullojë çështjen dhe pastaj vendosi të plaste një bombë…"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





