Transmetuar më 14-02-2022, 15:28

Newell’s Old Boys nuk ka shumë trofe në vitrinën e tij (6 tituj kampioni në Argjentinë dhe maksimumi dy finale të Copa Libertadores të humbura), por ende mund të spikasë me diçka në listën e rezultateve. Diçka me të cilën asnjë klub tjetër në Argjentinë nuk mund të mburret: aty luajtën dy legjenda në fillimet e tyre; Diego Armando Maradona dhe Leo Messi.

Dhe jo më kot, kur "Diez" ndërroi jetë, "Pulce" vendosi t’i bënte homazhe me fanellën e kuqezinjve të skuadrës së tij të preferuar. Newell’s asnjëherë nuk i ka humbur shpresat se një ditë, Leo do të vendosë të kthehet në shtëpi për ta përfunduar karrierën në Rosario.

Ndërkohë, duke qenë se për momentin nuk flitet për këtë, një tjetër Messi ka dalë në dritë… Atij i është dhënë edhe numri 10. Messi në fjalë quhet Joaquin Silvio, është 19 vjeç dhe nuk ka asnjë lidhje farefisnore me "adashin" e famshëm.

Messi…, i dyti, luan me këmbën e djathtë dhe jo mëngjarash; 1.74 m i gjatë (pesë centimetra më shumë se Leo). Aktualisht luan me Newell’s Juvenil, prandaj është e qartë se (mbi)emri i tij është mjaft i rëndë për t’u mbajtur, veçanërisht kur kombinohet me atë numër kaq përfaqësues (10).

Kur erdhi koha për të prezantuar të rinjtë e Copa Libertadores, menaxheri i rrjeteve sociale të kompeticionit nuk mendoi për asnjë moment të bënte postim për një djalë argjentinas, të quajtur Messi, i cili mban numrin 10 mbi supe. Për ‘LaNacion’, megjithatë, Joaquin thotë se mbajtja e mbiemrit dhe numrit të ish-kapitenit të Barcelonës nuk ka qenë aspak e lehtë deri më tani:

"Një herë, në një ndeshje të të rinjve kundër Banfield, në Rosario, kundërshtari qendror, një djalë shumë i gjatë dhe i fortë, më shante gjatë gjithë kohës vetëm sepse më quanin Messi. Edhe në rrjetet sociale, kur isha më i madh, shumë njerëz me komente më kanë ofenduar, pa më njohur, thjesht pse mbaj mbiemrin tim. Mbiemër që është i njëjtë me atë të Leos. Më duhet të them që nuk kam kuptuar kurrë asnjë nga këto situata”.

Habia shkon deri në atë pikë sa, siç tregon një burim për "La Nacion", sa dikush e këshilloi të dilte në fushë me mbiemrin e nënës në shpinë. “Ai është i dënuar me një krahasim që nuk do t’i bëjë kurrë mirë”, – sqarojnë nga Argjentina. Edhe vetë Messi (i vogël) e di këtë, pasi në pothuajse të njëzetat, nëse nuk është bërë ende fenomen, vështirë se do t’i përngjajë shtatë herë fituesit të "Topit të Artë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd