Transmetuar më 12-02-2022, 08:04

Jepet më shumë se kurrë alarmi i një pushtimi rus ndaj Ukrainës. Gazetari amerikan Nick Schifrin ka deklaruar se Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur që të pushtojë Ukrainën dhe se këtë vendim ja ka bërë të ditur ushtrisë ruse. Me anë të një postimi në Twitter, Schifrin bëri me dije se pritet që pushtimi të nisë javën e ardhshme e se do të jetë i përgjakshëm, me bombardime ajrore e luftë elektronike. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se ekzistonte mundësia e një konflikti të armatosur në Evropë, pasi si aleanca ashtu edhe Rusia po rrisin praninë e tyre të trupave rreth Ukrainës. Moska ka rreth 100,000 trupa të stacionuara afër kufirit të Ukrainës dhe liderët perëndimorë janë përpjekur të zhvillojnë bisedime me Rusinë nga frika e një sulmi. Një total prej 1,000 trupash shtesë të SHBA, të destinuara për të forcuar krahun lindor të NATO-s po mbërrijnë në Rumani këtë javë, ndërsa më shumë trupa dhe pajisje po dërgohen gjithashtu në vende të tjera të Evropës Lindore. Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se Rusia tani ka forca të mjaftueshme për të kryer një operacion të madh ushtarak kundër Ukrainës dhe se një operacion i tillë mund të nisë në çdo moment duke rritur ankthin tek banorët në Ukrainë. Sullivan tha se amerikanët që ende gjenden në Ukrainë, duhet të largohen brenda 24-48 orëve të ardhshme.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se inteligjenca amerikane beson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të urdhërojë pushtimin para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, që po mbahen në Pekin, dhe se është i mundur një sulm i shpejt ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Të njëjtës gjë i druhet dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Blinken tha se Uashingtoni po vazhdonte të “tërhiqte” stafin e ambasadës në Kiev. Ai përsëriti një thirrje të Departamentit të Shtetit drejtuar qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largoheshin menjëherë nga vendi. Zyra e Jashtme britanike ka këshilluar gjithashtu qytetarët britanikë që të largohen nga Ukraina. Edhe vendet e tjera europiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina. Izraeli njoftoi gjithashtu se ka nisur evakuimin e familjarëve të stafit të ambasadës në Kiev. Në mes të kësaj krize ka ndërhyrë edhe Britania e Madhe, por një takim midis sekretares së jashtme britanike Liz Truss dhe homologut të saj rus Sergei Lavrov përfundoi në akuza, akuza dhe tallje e sarkazëm. Truss kishte paralajmëruar më herët Rusinë për pasojat e veprimeve ushtarake, duke thënë: Ky do të ishte një konflikt i zgjatur!

Përpjekja britanike për të shmangur luftën në Evropën Lindore erdhi pas lëvizjeve të ngjashme të liderit francez Emmanuel Macron, i cili vizitoi Moskën në fillim të kësaj jave për të folur me presidentin rus Vladimir Putin. Tensionet vijnë gati 8 vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë në Ukrainë dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit. Gjithashtu, Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut–një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit. Së fundmi, Rusia po këmbëngul se Ukraina nuk duhet të lejohet të bashkohet me NATO-n. Në krah të Ukrainës ka nxituar të reshtohet SHBA, si mundësi për të treguar superioritet mbi Rusinë. Vendet e Evropës mbështetjen më të madhe e kanë drejtuar në Ukrainë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd