Transmetuar më 11-02-2022, 14:44

Mesditën e së premtes u bë prezantimi zyrtar i Myrto Uzunit si lojtar i ri i Granada në “Nuevo Los Cármenes”. Anësori shqiptar ka debutuar tashmë me skuadrën e re në La Liga, edhe si titullar, në “Santiago Bernabéu” kundër Real Madridit. Sidoqoftë, beratasi kuqezi nuk kishte bërë ende një deklaratë publike që nga zyrtarizimi i nënshkrimit të tij për klubin nasrid, ditën e fundit të merkatos dimërore.

Në radhë të parë ai doli në konferencë për shtyp, i shoqëruar nga Pep Boada, drejtori sportiv i klubit, dhe nënvizoi: “Falënderoj Pep, Patricia, David dhe Rober që më besuan. Jam shumë i lumtur që po nis këtë fazë të re në karrierë”.

Për sa iu përket njohurive paraprake për Granada, klubin e ri, Uzuni siguroi: “Garon në një nga ligat më të mira në botë, aq mjafton për të kuptuar se ku jam. Për më tepër, Granada e kisha njohur tashmë qysh kur luajti në “Europa League” kundër Teutës. Një nga miqtë e mi më të mirë është Rey Manaj dhe e pyeta për ekipin”.

Ai foli edhe për debutimin e tij në stadiumin e Real Madridit: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër lojtarëve me cilësi të lartë. Por të luaja në ‘Santiago Bernabéu’ ishte një ëndërr e realizuar. Ajo që më ka bërë më të lumtur është dhënia e minutave në atë sfidë. Dua të vazhdoj kështu, duke punuar shumë në stërvitje”.

Sa iu përket dallimeve mes futbollit spanjoll dhe atij hungarez, ku ai luajti së fundi për Ferencváros, sulmuesi shqiptar nënvizoi: “Shumë gjëra ndryshojnë. Liga spanjolle është një nga më të mirat në botë. Do të përpiqem të jap më të mirën këtu.

Gjithmonë përpiqem të besoj në veten time dhe të jem i përgatitur. Më tej është vendimi i trajnerit se kush do të luajë. Nuk dua të krahasohem me askënd, te Granada ka futbollistë shumë të mirë”.

Uzuni tregoi se si shokët e skuadrës, ashtu edhe stafi teknik po ia bëjnë shumë të lehtë përshtatjen qysh në ditët e para: “Më kanë pritur mjaft mirë, të gjithë janë njerëz shumë pozitivë. Mentaliteti im është gjithmonë të jap më të mirën e mundshme. Do të luftoj në maksimum për këtë fanellë”.

Në fund, disa fjalë edhe për Robert Moreno: “Ai është një nga trajnerët më të mirë që kam takuar; analizon gjithçka shumë mirë, si stërvitjet, ashtu edhe ndeshjet. Mendoj se do të më bëjë të rritem si futbollist”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd