Transmetuar më 11-02-2022, 10:37

I rikthyer plotësisht funksional në drejtimin e Milanit, pas sëmundjes që e goditi verën e kaluar, Ivan Gazidis u ftua në “Expo 2020” të Dubait, ku mori pjesë si folës kryesor në një debat të titulluar “E ardhmja e futbollit dhe roli i tij në shoqëri”. Vetëkuptohet se kjo është një çështje shumë afër zemrës së drejtorit ekzekutiv të Milanit.

Për këtë temë, Gazidis më pas dha një intervistë të gjatë për ‘CNN’, gjatë së cilës trajtoi disa çështje kyçe për të ardhmen e Milanit, por edhe të gjithë futbollit ndërkombëtar, duke filluar nga çështja e stadiumeve:

"Unë besoj se themelet e futbollit të së ardhmes duhet të bazohen pikërisht në ndërtimin e infrastrukturave të reja të qëndrueshme. Veçanërisht në Itali. Këtu futbolli ishte në krye 20-30 vite më parë, por më pas nuk është bërë asnjë përparim në infrastrukturë.

Ky është një kërcim cilësor që duhet të bëjë futbolli italian, potenciali që ka është i madh. Futbolli është bërë një sport global dhe do të duhet të jetë gjithnjë e më gjithëpërfshirës. Me këtë në mendje, hapi i parë është të kemi stadiume të sigurta në të cilat të gjithë mund të ndihen pjesë e një eventi”.

Gazidis më pas foli edhe për Zlatan Ibrahimovic, i cili ende nuk e ka zbardhur të ardhmen e tij, në mëdyshje mes lamtumirës nga futbolli, rinovimit me Milanin apo një aventurë tjetër diku tjetër për t’i dhënë fund karrierës. Nga drejtori i kuqezinjve vjen një “apel” për kampionin suedez, por edhe një falënderim:

“Zlatan është i vetëdijshëm se çdo vit që kalon duhet të përshtatë trupin e tij për të vazhduar të jetë një lojtar i rëndësishëm. Shpresoj që kur të vendosë të ndalojë së luajturi, do ta luajë ndeshjen e fundit me fanellën e Milanit. Ne kemi një marrëdhënie të veçantë me Zlatan, ai ka dhënë vërtet shumë për këtë klub dhe në veçanti për të gjithë të rinjtë që po rriten te Milani”.

Gazidis foli edhe për çështjen delikate që lidhet me diskriminimin, duke dhënë këndvështrimin e tij për përgjegjësitë e klubeve: “Besoj se futbolli reflekton problemet e shoqërisë, por edhe ka për detyrë të udhëheqë drejt ndryshimeve pozitive dhe të japë shembuj të mirë. Sot futbolli është një sektor i dominuar nga meshkujt. Mendoj se një nga sfidat e radhës është të luftojmë për ta bërë atë një mjedis më gjithëpërfshirës dhe të larmishëm.

Kur ka episode racizmi brenda stadiumeve, sanksionet duhet të jenë adekuate dhe besoj se janë vetë klubet që duhet të përballen me pasojat e kësaj, sepse nuk ka njeri tjetër që mund të punojë efektivisht për të zgjidhur problemin. Megjithatë, më duhet të them se nëse shikojmë dy-tri dekadat e fundit, futbolli ka qenë një forcë pozitive për këtë çështje”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd