Transmetuar më 10-02-2022, 20:00

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka përshëndetur ndryshimet kushtetuese, për zgjatjen e afateve për Komisionet e Vetingut.

Në deklaratën e SHBA thuhet se ky është një hap i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët drejt një sistemi drejtësie më të fortë dhe më të besueshme drejt integrimit europian.

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. SHBA do të mbështesë gjithmonë Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme”, shkruan ambasada e SHBA.

Ndryshimet Kushtetuese u kaluan në Kuvend me 118 vota pro, ku PD dha dakordësinë në këmbim të ngritjes së komisioneve parlamentare për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.

LSI shprehu votën abstenim për ndryshimet Kushtetuese, ndërkohë që Berisha doli kundër zgjatjes së afateve për Komisionet e Vetingut, ndërsa hodhi akuza në drejtim të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.

Zgjatja e afateve të vettingut është kërkuar me ngulm nga faktori ndërkombëtar në vend, si një vazhdimësi e Reformës në Drejtësi, që ka qenë një investim kryesisht amerikan.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd