
Me 118 vota pro, 4 abstenim dhe asnjë kundër, janë miratuar në Kuvend ndryshimet Kushtetuese që i hapi rrugën zgjatjes së afatit të Komisioneve të Vetingut.
Këto ndryshime u mbështetën nga ndërkombëtarët, të cilët rritën presionin publik ndaj Lulzim Bashës, që ai dhe deputetët e PD-së të votonin pro.
Në këmbim, mazhoranca dha dakordësinë e saj për dy Komisione Parlamentare, atë të Reformës Territoriale dhe Zgjedhore.
Në fjalën e tij gjatë seancës së sotme në Kuvend, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kërkoi votimin e shtyrjes së afateve të vetingut deri në dhjetor 2024, ndërsa deputetja e PD, Jorida Tabaku kërkoi njëherësh të miratohet ngritja e komisioneve për Reformën territoriale dhe atë Zgjedhore.
LSI shprehu votën abstenim për ndryshimet Kushtetuese, ndërkohë që Berisha doli kundër zgjatjes së afateve për Komisionet e Vetingut, ndërsa hodhi akuza në drejtim të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Taulant Balla nga ana tjetër hodhi poshtë akuzat për marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD.
"Kam qenë besimplotë se do e miratonim sëbashku këtë ndryshim kushtetues, duke mos parë llogoret politike. Të gjithë prokurorët e gjyqtarët duhet të vetohen njësoj. Akuzat që u thanë për marrëveshje ‘over night’ i refuzoj me përbuzje, është vetëm ndërgjegjësim i të gjithëve për nevojën për të çuar përpara këtë proces.
Ndryshimet janë depozituar që para 4 muajsh dhe kanë marrë proces të gjatë konsultimi. Të gjithë i qëndrojnë qëllimeve të para, të reformës në drejtësi. Vettingu është një element thelbësor për të garantuar një nivel të dukshëm integriteti të magjistratëve. Sot ka më shumë besim te drejtësia sa kishte dje.
Mbi 800 subjekte janë fitur në sitën e vettingut, KPK ka dhënë 491 vendime, 183 vendime konfirmimi në detyrë, 273 shkarkimi. Në qershor do të mbeteshin pa përfunduar edhe 300 çështje, që do i kalonin në Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Besoj që një shumicë e madhe e deputetëve ka votuar në mbështetje të këtij ndryshimi kushtetues. Nuk ka asnjë marrëveshje okulte. Sot fitoi Shqipëria", deklaroi Balla./noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





