Transmetuar më 08-02-2022, 15:15

Enis Bardhi është dënuar me 4 muaj burg dhe 1920 euro gjobë. Arsyeja nuk është tjetër, veçse vozitja nëpër qytetin e Valencias me patentë të falsifikuar. Në çdo rast, gjyqtari e ka pezulluar ekzekutimin e dënimit në fjalë për dy vite, kështu që mesfushori shqiptaro-maqedonas nuk do shkojë në burg të paktën këtë periudhë, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale (dënim me kusht).

Sipas gjykatës, Bardhi u kap nga agjentët e policisë vendore në orën 12:30 të datës 5 prill 2021 në rrugën “Hermanos Machado”, shumë pranë stadiumit “Ciutat de València” ku luan ndeshjet e tij në shtëpi. Agjentët verifikuan se mesfushori po drejtonte pa leje drejtimi, situatë për të cilën i akuzuari ishte në dijeni të plotë. Kështu nënvizon në vendimin e tij gjyqtari hetues 19 i Valencias.

Sikur të mos mjaftonte kjo, kur agjentët policorë i kërkuan të tregonte lejen e drejtimit, mesfushori i Levantes iu dha atyre një të prodhuar në Maqedoninë e Veriut me emrin e tij, por që rezultoi false.

Prokurori kërkoi për Bardhin dënimin me 6 muaj burg dhe 12 muaj gjobë, në masën tetë euro në ditë. Gjyqtari pasi u njoh me pranimin e krimit dhe kërkim-faljen e mesfushorit shqiptar vendosi ta dënojë me katër muaj burg (me kusht) dhe tetë muaj gjobë.

Ndërkohë që policia kryente hetime për falsifikimin e dyshuar të lejes së drejtimit, futbollisti i Levantes pohoi se patenta që iu tregoi agjentëve "është e vërtetuar nga institucionet përkatëse" në vendin e tij.

Ai po ashtu ka deklaruar në rrjetet sociale se atë mëngjes i ka dorëzuar policisë lokale “çertifikatën e lëshuar nga MPB-ja e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, që vërteton se patenta e tij e shoferit është e vlefshme nga shteti ku jeton.

“Qëllimi im është që me këtë dokumentacion të ofruar sot (6 prill) të sqarohet situata e konfuzionit që është krijuar”, – thuhet në pikën e fundit të deklaratës së futbollistit shqiptaro-maqedonas.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd