
Ka momente që bashkojnë një lojtar me trajnerin e tij dhe çimentojnë marrëdhënien e tyre në mënyrë të pazgjidhshme. Për Felipe Scolari dhe Cristiano Ronaldo ky moment ndodhi në shtator të vitit 2005. Është vetë ish-trajneri i Portugalisë që kujton momentin zemërthyes, në të cilin iu desh t’i tregonte kampionit të tij 20-vjeçar se kishte humbur të atin.
"Cristiano është një makinë goli, – tha ai në një intervistë për “Daily Mail”. – Ai është një djalë fantastik. E pashë atë te Sportingu më 2003 dhe sot ka më shumë pasion për futbollin se sa kishte në fillim të karrierës së tij. Një person i madh.
Ndonjëherë nuk e shohim se sa i mirë është një person jashtë fushës. Ai është shumë i përkushtuar. Ronaldo është stërvitur shumë për t’u bërë futbollisti që është tashmë. Ferguson dhe trajnerët e tij të të rinjve janë përgjegjës për evolucionin e Cristiano në atë që është sot. Ne si ish-trajnerë të tij jemi shumë të lumtur ta shohim në nivelet më të larta edhe sot”.
Scolari kujtoi momentin kur iu desh t’i tregonte Ronaldos për vdekjen e babait të tij, Jose, i cili humbi jetën nga komplikimet e hepatitit kronik alkoolik: "Ishte shumë e vështirë. Ky ishte momenti që krijoi një lidhje mes nesh, një lidhje që shkon përtej marrëdhënies trajner-sportist.
Kur na erdhi lajmi, para ndeshjes kundër Rusisë, askush nuk dinte si t’ia thoshte. Askush nuk e merrte përsipër këtë gjë. I thashë stafit se do t’ia them unë lajmin e keq, sepse e dija se si ishte të humbasësh një prind. Kisha humbur babain tim disa vite më parë.
Ishte shumë i trishtuar, por ai moment na bashkoi si miq. Ditën tjetër, Cristiano luajti një ndeshje të mrekullueshme dhe u kthye në Portugali. Ai kërkoi vetë të luante, teksa më tha: Nuk mund të bëj asgjë për babanë tim sot, kështu që do të luaj nesër dhe pastaj do të largohem".
Scolari ka rrëfyer se kampioni i Manchester United nuk është lojtari më i talentuar që ka trajnuar ndonjëherë: "Ai është më i përkushtuari nga të gjithë. Më i talentuari mund të mos jetë. Talenti nuk është një nga virtytet e para, kur mendojmë për Ronaldon, por përkushtimi është ai që e bëri atë që është. Ai është virtyti i parë kur mendoj për të".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





