
Modelja shqiptare me famë botërore, Angela Martini, ka folur për mëmësinë dhe zgjedhjen që së bashku me partnerin të bëheshin prindër për herë të parë me ndihmën e një nëne surrogate.
Modelja 35-vjeçare dhe bashksëshorti saj 48-vjeçar, producent dhe sipërmarrës, Dragos Savulescu pritën një djalë më dy dhjetor të 2021-it.
Në një intervistë për prestigjozen zviceriane "Blick" Angela Martini tregoi cilat ishin arsyet pse zgjodhën që fëmija të vinte në jetë me nënë surrogate duke renditur mundësinë që ajo dhe bashkëshorti të zgjidhnin gjininë e bebes si dhe të përzgjidhnin gjenet më të forta nga të dy ata, për të eliminuar alergji, sëmundje autoimune dhe rreziqet për shfaqjen e kancerit.
“Unë e di se sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Evropë për sa i përket ligjshmërisë dhe kulturës. Por në këtë mënyrë ne mund të zgjidhnim gjininë e fëmijës sonë. Ishim në gjendje të bashkonim vezët dhe spermatozoidet tona më të forta dhe më të shëndetshme, duke eliminuar alergjitë, sëmundjet autoimune, rreziqet e kancerit e kështu me radhë", është shprehur Angela Martini.
Modelja thotë se kishte lidhje të ngushtë me nënën surrogate.
“Flisnim çdo ditë me njëra-tjetrën, shkonim së bashku në vizitat te gjinekologu, gjithmonë e kisha nën kontroll shëndetin e fëmijës tim. Ne u bëmë shoqe. Lindja ishte shumë emocionuese për mua. Ishte e mahnitshme!", tha modelja.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





