Transmetuar më 07-02-2022, 18:24

23-vjeçari shqiptar i arrestuar në Selanik si i dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit grek javën e kaluar, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Sot ai doli para prokurorit ku u njoh me akuzat që rëndojnë ndaj tij, si dhe u pyet për rrethanat dhe personat e tjerë të përfshirë.

23-vjeçari shqiptar pranoi se ishte në vendin e ngjarjes, por mohoi që të ishte pjesë e grupit që sulmoi 19-vjeçarin grek që u godit me thika dhe mjete të mprehta duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas avokatit të tij, 23-vjeçari u ka treguar hetuesve emrat e personave të përfshirë, 10 të tillë. Por ka shtuar se “ata nuk donin të vrisnin, por vetëm ta frikësonin”, ndërsa shpreh pendesë për ngjarjen tragjike.

Ndërkohë, një tjetër shqiptar 20-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia greke si person i dyshuar i përfshirë. Ndërsa mediat greke raportojnë se 20-vjeçari është arratisur drejt Shqipërisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd