Transmetuar më 03-02-2022, 17:17

Mbyllet kopshti ku vdiq i mituri në Fier. Ministria e Arsimit njoftoi sot se ka vendosur t’i heqë licencën kopshtit në Fier, ku vdiq akside një fëmijë 3-vjeçar disa javë më parë.

MAS pretendon se nga konstatimet e grupit të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, në kopshtin “Flatrat e Dijes”, Fier është arritur në përfundimin se ky kopsht “nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligj që mësuesit të kenë diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.

Po ashtu, sikurse pretendon MAS, ky institucioni arsimor parauniversitar privat, kishte “regjistruar dhe pranuar fëmijë në kopsht mbi numrin e lejuar të fëmijëve për grup, duke sjellë si pasojë mungesën e përkujdesjes së nevojshme për këta femijë”.

Burime nga ky institucion parashkollor pohojnë se pikat e pretenduara nga grupi kontrollues nuk qëndrojnë. Drejtuesi didaktik nuk është i detyrueshëm në kopshte me deri 80 fëmijë dhe ky kishte pak më shumë se gjysma e këtij limiti.

Gjithashtu, nuk qëndron pretendimi se kishte pranuar më shumë fëmijë sesa është norma, për vetë faktin se regjistrim paraprak është bërë nga më shumë fëmijë, por regjistrim faktik dhe prezencë kishin shumë më pak dhe nën normën e përcaktuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd