Transmetuar më 31-01-2022, 18:16

Dy policët e Durrësit janë vënë në pranga pasi lanë të lirë një person të shpallur në kërkim kundrejt një shpërblimi me vlerë 10 mijë euro.

Ata lanë të lirë Alfred Mikelin, i cili është person në kërkim për efekt të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë të ish-Gjykatës për Krime të Rënda, sipas të cilit ky shtetas ishte dënuar me 10 (dhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në datën 10 Gusht 2021, punonjësit e policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, V.B. dhe G.LL., pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin. Pasi kanë negociuar me personin në kërkim Alfred Mikeli, punonjësit e policisë V.B.dhe G.LL. e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shume prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 06 datë 30 Janar 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj punonjësve të policisë V.B. dhe G.LL., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal. Masat e sigurimit personal për dy punonjësit e policisë së shtetit u ekzekutuan sot me datë 31.01.2022 nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Po kështu nga gjykata është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Alfred Mikelit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd