Transmetuar më 31-01-2022, 07:53

Dialogu dhe çështjet e Ballkanit mbeten në fokusin e BE dhe SHBA.

I Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të vijnë ditë e sotme në Kosovë. Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy palëve, teksa theks i veçantë do t’i jepet edhe vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Lajçak ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre.

Lajcak ka treguar edhe arsyen pse ai do të marrë si “përforcim” Gabriel Escobarin në këtë takim, si dhe në një vizitë të njëjtë në Beograd. Ai ka thënë se kanë lidhje të ngushta me administratën Biden dhe se me Escobarin janë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë kohës. Edhe Escobar ka thënë se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.