Transmetuar më 30-01-2022, 11:37

Komisioni i Rithemelimit në PD është duke mbajtur sot primaret në të gjiithë vendin, ku anëtarët do të vendosin për kandidatin e tyre më të preferuar që do të garojë në 6 bashkitë e vendit, ku do të mbahen në 6 Mars zgjedhjet e parakohshme.

Procesi derimë tani ka ecur normalisht, dhe ka pasur një pjesëmarrje të kënaqshme, në 6 degët e PD-së, Shkodër, Dibër, Vorë, Lushnje, Durrës dhe Rrogozhinë.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike (PD) informon:

Të 9 Qendrat e Votimit (3 QV në Shkodër, 2 QV në Durrës, 1 QV në Dibër, 1 QV në Lushnjë, 1 QV në Rrogozhinë dhe 1 QV në Vorë) janë hapur në orën 8.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton cdo anëtar të PD në 6 degët e PD ku po zhvillohet procesi i votimit për Primare, të ushtrojë të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre në garën për kryetar bashkie. Primaret, si ushtrim i demokracisë së drejtpërdrejtë tashmë e kalojne vendimmarrjen te anëtarësia.

Ndërkohë që Bashkia për të cilën është shfaqur një interes më i madh deri në këto momente është ajo e Shkodrës, me Voltana Ademin që u tërhoq nga gara, dhe Bardh Spahinë si kandidatin më të avantazhuar.

Kryetarja aktuale e Bashkisë, Ademi, foli për mediat pasi hodhi votën e saj në këto primare. Ajo tha se pas zgjedhjeve të Marsit, do ti rikthehet profesionit të saj, ndërkohë që hodhi akuza dhe në drejtim të Lulzim Bashës.

“Ky është procesi demokratik që për herë të parë grupi i Rithemelimit të PD në Shkodër bën për të zgjedhur nga anëtarësia të zgjedhurin e tyre që do të jetë nesër kandidat për zgjedhjet e 6 marsit. Për mua është shumë vonë. PD do duhet ta kishte bërë shumë kohë përpara. Përzgjedhja është proces meritokracie. PD ka pasur shumë nevojë. Kjo e ndihmon që PD të fillojë përmes një sistemi meritokracie përzgjedhjen për drejtimin.

Ky proces nuk ndihmon vetëm PD dhe opozitën por është një ushtrim demokracie në vend. Fakti që bëhet edhe në Shkodër i jep vlerë sistemit të demokracisë që duam të ndërtojmë në vend. Ky është një ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë.

Unë kam qenë e qartë dhe jam përpjekur të jem e qartë duke qenë e bindur se përfaqësimi i njerëzve që duan të drejtojnë Shkodrën do jenë një grup. Jam ndër ato që e kam mbështetur lëvizjen e Berishës duke bërë të mundur që ky grup të votohet duke bërë të mundur që të kemi një pjesëmarrje sa më të mirë.

Edhe një thirrje për të votuar edhe për datën 6 mars. Bëhet fjalë për një leksion demokracie që duhet ta japim në bashkitë e të gjithë vendin. Mendoj se do fillojmë nga 6 bashkitë për të arritur në 61 që sistemin e monoplozimit ta zhbëjmë. Ne do fitojmë bashkinë e Shkodrës dhe të shohim angazhimin e anëtarëve të PD. Në krizë sot është Lulzim Basha. Nuk e di kush është Lulzim Basha. Procesi politik që bëjmë sot është pjesë e demokratizimit për të shporrur monopolizimin e shtetit nga Lulzim Basha te Edi Rama.

Pas këtij mandati do jem në Shkodër në funksion të profesionit tim dhe angazhimit tim politik që do të jetë si përpara. Nuk do vendosë Sali Berisha kush është kryetar i bashkisë ës Shkodër. Ai ka bërë të mundur t’i japë fuqi secilit prej nesh përmes votës. Jam e lumtur që ia kemi arritur kësaj dite dhe që sistemi primar bëhet pikërisht nga forca politike dhe jo nga kryesia me 5 veta. Kjo është fuqia që na ka dhënë statuti i ri. Sot votoni për atë që ju mendoni se do të jetë përfaqësuesi juaj”, tha Ademi gjatë fjalës së saj.

Në lidhje me këto zgjedhje nuk ka asnjë reagim nga PD e Lulzim Bashës, i cili vijon që të mos njohë shkarkimin nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, dhe as drejtimin e Partisë nga Komisioni i Rithemelimit./Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd