Transmetuar më 29-01-2022, 09:58

Mbante armë dhe municione në banesë në mes të Elbasanit, arrestohet autori.

Policia e këtij qyteti ka përfunduar operacionin policor të koduar “Kral”

Burime për Noa.al informojnë se në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.

Gjatë kontrollit të banesës së 44 vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti,një thikë dhe 7 karikatorë.

Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd