
Brazil-Ekuador, e vlefshme për fazën kualifikuese të Botërorit të Katarit, evidentoi një nga gjykimet më të këqij dhe më surrealë të parë ndonjëherë në futboll.
Arbitri Wilmar Roldán duhet të falënderojë ekzistencën e VAR-it, sepse përndryshe do të kishte firmosur një nga gjykimet më skandaloze të kohëve të fundit.
Deri në katër raste kyçe të ndeshjes duhej të ndërhynte VAR-i, pasi kolumbiani kishte marrë vendimin e kundërt me atë të duhurin. Aq shumë gaboi kryesori, sa ndodhi diçka e paparë më herët: Alisson pa dy kartonë të kuq t’i tregoheshin në fytyrë, por përsëri e përfundoi ndeshjen.
Pas gjysmë ore u përjetua episodi i parë me portierin brazilian. Selecao ishte tashmë me dhjetë lojtarë në fushë, për shkak të përjashtimit të Emerson (i vetmi vendim i drejtë i arbitrit), kur Alisson la zonën e tij për të larguar një top.

Në atë moment mbërriti Valencia, qartësisht në kohën e gabuar, dhe fytyra e tij u përplas me takat e portierit të Brazilit. Kryesori Wilmar Roldán vendosi ta përjashtonte direkt portierin Alisson, duke i nxjerrë kartonin e kuq.
Natyrisht, VAR-i e thirri kolumbianin ta rishikonte rastin e dyshimtë në monitor. Kryesori u kthye së andejmi duke shfuqizuar të kuqin dhe akorduar të verdhin për portierin brazilian.
Gabimet nuk mund të përfundonin këtu për Wilmar Roldán, i cili do të konfirmonte natën e tij më të errët, kur Ekuadori kërkonte golin që do ta konfirmonte për Botërorin e Katarit. Topi hyri në ajër në zonën e Brazilit, portieri Alisson doli me grushte përpara se të mbërrinte për ta goditur një lojtar nga Ekuadorit.
Portieri i Liverpool-it preku topin më parë dhe më pas me parakrah goditi sulmuesin kundërshtar. Epo, penallti dhe e dyta e verdhë. Domethënë, Alisson pa kartonin e dytë të kuq të ndeshjes. Sidoqoftë, ai nuk do të largohej sërish nga fusha e lojës, sepse VAR-i, për herë të katërt korrigjoi Roldán, i cili përmbylli një mbrëmje për t’u harruar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





